Drejtoria për Policinë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër V.K., në cilësinë e ish-drejtorit ekzekutiv të Sektorit për Teknologji të Aviacionit në Shoqërinë Aksionare në pronësi shtetërore për kryerjen e veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve në navigimin ajror M-NAV AD Shkup, për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” sipas nenit 353 paragrafi 2 të Kodit Penal, dhe kundër B.A., në cilësinë e ushtrueses së detyrës së udhëheqëses së sektorit për prokurime publike në të njëjtën shoqëri aksionare, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Punë e pandërgjegjshme në shërbim” sipas nenit 353-v paragrafi 2 të Kodit Penal.
I pari i kallëzuar, V.K., ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare në atë mënyrë që ka bashkuar dy prokurime publike krejtësisht të ndryshme dhe të papajtueshme në një të vetme, konkretisht: prokurimin për përgatitjen e një zgjidhjeje tërësisht operative për menaxhimin e dokumenteve, përkatësisht blerjen e një zgjidhjeje softuerike, me prokurimin për arkivimin fizik dhe elektronik të dokumenteve. Duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, gjatë vitit 2022, në kundërshtim me nenin 89 të Ligjit për Prokurime Publike, ai ka përgatitur specifikimet teknike dhe dokumentacionin e tenderit me kushte diskriminuese dhe të paarsyeshme për përzgjedhjen cilësore për prokurimin publik për ofrimin dhe implementimin e një zgjidhjeje tërësisht operative për menaxhimin e dokumenteve me numër të shpalljes 12253/2022, në të cilat ka përfshirë kushte dhe kritere që kryesisht kanë të bëjnë me arkivimin fizik të dokumenteve dhe që nuk kanë lidhje me përgatitjen e një zgjidhjeje softuerike për menaxhimin e dokumenteve, gjë që është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit sipas nenit 8 dhe parimin e konkurrencës sipas nenit 5 të Ligjit për Prokurime Publike.
E dyta e kallëzuar, B.A., si personi i vetëm që posedon autorizimin për të udhëhequr procedurat e prokurimeve publike, duke mos ushtruar mbikëqyrje të duhur, ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme në përmbushjen e autorizimeve dhe detyrave të saj, në atë mënyrë që, megjithëse ka qenë e vetëdijshme se dokumentacioni i tenderit dhe specifikimet teknike ishin përgatitur në kundërshtim me Ligjin për Prokurime Publike, ajo i ka publikuar ato në sistemin elektronik për prokurime publike, duke mundësuar kështu zbatimin e të njëjtit tender.
Me këto kritere diskriminuese dhe të paarsyeshme për përzgjedhjen cilësore, duke ulur konkurrencën, të kallëzuarit e kanë dëmtuar buxhetin e Shoqërisë Aksionare në pronësi shtetërore për ofrimin e shërbimeve në navigimin ajror M-NAV AD Shkup në shumën prej 1.493.433,00 denarë, shumë për të cilën i kanë mundësuar përfitim personit juridik “Kontego” SHPK Shkup – Shoqëri për skanimin, përpunimin dhe ruajtjen e dokumenteve, me të cilën është lidhur kontrata.