Shkup, 8 janar – Në tetor të vitit 2025 nisi zbatimi gradual i Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES), ndërsa pas përfundimit të plotë të tij do të pasojë sistemi i ri ETIAS.

Sistemi EES ende nuk funksionon në të gjitha pikat kufitare, por pritet që implementimi i plotë të përfundojë më 10 prill 2026.
Çfarë është ETIAS?
Leja e udhëtimit ETIAS do të jetë kusht hyrjeje për shtetasit e vendeve që janë të liruar nga viza, të cilët udhëtojnë drejt cilitdo nga 30 shtetet evropiane. Ajo do të lidhet me pasaportën e udhëtarit dhe do të vlejë deri në tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës, cilado që të ndodhë e para.
Nëse merrni një pasaportë të re, duhet të aplikoni edhe për një leje të re ETIAS, shkruan 92Putovanja.
20 euro për hyrje në BE
Lëshimi i lejes ETIAS do të kushtojë 20 euro. Kjo tarifë nuk do të aplikohet derisa sistemi ETIAS të hyjë në funksionim, që sipas të dhënave zyrtare është planifikuar për tremujorin e fundit të vitit 2026.
Megjithatë, kjo nuk garanton automatikisht hyrjen. Me mbërritjen në kufi, zyrtari kufitar do t’ju kërkojë të paraqisni pasaportën dhe dokumente të tjera dhe do të verifikojë nëse i plotësoni kushtet për hyrje.
Aplikimi për leje ETIAS
Aplikimi për ETIAS pritet të bëhet përmes faqes zyrtare të ETIAS ose përmes aplikacionit mobil ETIAS. Aplikimi për autorizim udhëtimi do të kushtojë 20 euro, ndërsa disa kategori udhëtarësh do të jenë të përjashtuar nga kjo tarifë.(INA)


