Izet Mexhiti pret Ylli Limanin në Shkup, vizitojnë kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”

2 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se para koncertit të tij në Shkup, ka zhvilluar një takim me këngëtarin e njohur shqiptar, Ylli Limani, me të cilin vizitoi Universitetin “Nënë Tereza” dhe punimet për ndërtimin e kampusit universitar.

Sipas Mexhitit, kampusi përfaqëson një nga investimet më të mëdha në historinë e shtetit për arsimin në gjuhën shqipe, ndërsa vizita u shfrytëzua për të diskutuar mbi të ardhmen e të rinjve dhe rëndësinë e investimit në dije.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit u bisedua për krijimin e mundësive për të rinjtë dhe projektet që po realizohen në funksion të rinisë shqiptare.

Mexhiti vlerësoi gjithashtu personalitetin e Ylli Limanit, duke theksuar se përveç suksesit si artist, ai është një i ri me kulturë, mendim të pjekur dhe një këndvështrim të veçantë për çështjet shoqërore.

“Arti dhe kultura kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të frymëzuar brezat e rinj, po aq sa edhe politikat e mira. Artistë si Ylli janë më shumë se emra të suksesshëm në skenë; ata janë modele që ndikojnë te mijëra të rinj”, shkroi Mexhiti.

Në fund, ai i uroi Ylli Limanit një koncert të suksesshëm në Shkup dhe suksese të mëtejshme në karrierën e tij artistike.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull