Izet Mexhiti: E mbështes pa rezerva protestën për çlirimtarët në Prishtinë

2 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka shprehur përkrahje të plotë për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, e mbajtur sot në Prishtinë.

Në një reagim publik, Mexhiti theksoi se nuk ka dashur ta përdorë këtë kauzë të madhe për qëllime zgjedhore, pasi sipas tij, beteja për lirinë dhe drejtësinë është shumë më e rëndësishme se çdo garë politike.

- Advertisement -

“Qëndrimi im ka qenë dhe ngelet i palëkundur: Lufta e UÇK-së në Kosovë, në Preshëvë dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër”, deklaroi ai. Mexhiti e dënoi çdo përpjekje për të barazuar viktimën me agresorin dhe e cilësoi të papranueshme një qasje të tillë, si në aspektin moral, ashtu edhe juridik.

Ai vlerësoi se Kosova sot është një shtet sovran dhe funksional në çdo cep të territorit të saj, duke theksuar se strukturat paralele në veri janë eliminuar, ndërsa institucionet e Republikës së Kosovës janë konsoliduar.

Mexhiti kritikoi gjithashtu politikat e Ballkanit të Hapur dhe klasën politike që sipas tij, ka bërë kompromise me territorin, pasuritë dhe drejtësinë. Ai vlerësoi se sot Kosova udhëhiqet nga liderë që nuk bëjnë pazare me shtetin dhe interesat kombëtare.

“Kosova ka zot shpie! Liria ka emër! Liri për çlirimtarët!”, përmbylli ai mesazhin e tij.

- Advertisement -

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull