Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, gjatë një takimi pasdite me banorët e Çairit të Vjetër, premtoi përmirësime konkrete në infrastrukturë dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.

Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, në njërën nga çajtoret e lagjes, Mexhiti tha se bisedoi me banorët për nevojat urgjente të komunitetit.

“Folëm për shkollat, për rrugët që presin rregullim, për hapësirat publike që kanë nevojë për kujdes, për shtëpitë dhe për bizneset e vogla që mbajnë gjallë ekonominë e lagjes”, deklaroi ai.

Mexhiti theksoi se këto biseda i japin besim se ndryshimi është i mundur.

“Nga këto biseda buron besimi se Çairi i Vjetër, e bashkë me të gjithë Çairi, mund të bëhet më i mirë, më i rregullt dhe më i zhvilluar”, u shpreh kandidati i VLEN-it.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen që ka marrë nga qytetarët.

“Jam thellësisht mirënjohës për respektin, besimin dhe përkrahjen që më jepni në çdo takim. Ky besim është forca ime më e madhe. Me këtë forcë do ta sjellim ndryshimin dhe fitoren do ta arrijmë bashkë, sepse vetëm një Çair e kemi, dhe ky Çair do të fitojë!” tha Mexhiti.