Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka kujtuar me ndjeshmëri dhe respekt të thellë 2 Majin – ditën e shpalljes së Zonës së Lirë të Karadakut, e cila për shumëkënd simbolizon sakrificën më të lartë të shqiptarëve në konfliktin e vitit 2001.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Mexhiti theksoi se kjo ditë nuk është vetëm një datë në kalendar, por një simbol i dhimbjes dhe krenarisë kolektive shqiptare.
“2 Maji nuk është veç një datë në kalendar. Është zëri i dhimbjes dhe krenarisë, jehona e sakrificës që s’duhet të harrohet kurrë. Është dita kur u shpall Zona e Lirë e Karadakut, që u vulos edhe një kapitull i ri i historisë sonë, një kapitull i shkruar me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke,” ka shkruar Mexhiti.
Ai u përul me respekt përpara kujtimit të dëshmorëve që ranë, përpara nënave që mbetën me plagë në zemër dhe për të gjithë ata që, siç u shpreh, “me guxim e vendosmëri u bënë dritë në errësirën e vitit 2001”.
Në mesazhin e tij, Mexhiti nënvizoi se paqja dhe të drejtat që gëzohen sot janë rezultat i një lufte të madhe shpirtërore dhe fizike, dhe për këtë arsye 2 Maji mbetet një amanet i shenjtë për të mos u harruar dhe për të mbrojtur gjithmonë idealet e lirisë, dinjitetit dhe drejtësisë.
“Lavdi të gjithë atyre që ranë për të na ngritur! Le të qëndrojmë gjithmonë të bashkuar, se vetëm të bashkuar e të vetëdijshëm, e meritojmë rrugën që ata na lanë trashëgim,” përfundon mesazhi i zëvendëskryeministrit të parë.