Ismail Sinani: Provimi në shqip s’duhej të pritej 20 vjet, koha për zgjidhje konkrete institucionale

2 Min. Leximi

Gazetari Ismail Sinani ka reaguar për çështjen e provimit të jurisprudencës dhe përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke i dhënë mbështetje fushatës “Fol shqip, o taj!”, por njëkohësisht duke drejtuar kritika të qarta ndaj politikave të deritanishme.

Ai thekson se kjo temë nuk është e re dhe se mungesa e mundësisë për ta dhënë provimin në gjuhën shqipe është pasojë e mosveprimit të qeverive të kaluara. Sipas tij, për vite me radhë është folur për avancimin e statusit të shqipes, por në praktikë shumë procese të rëndësishme kanë mbetur të parregulluara.

Sinani vlerëson se qytetarëve u është krijuar përshtypja se gjuha shqipe është plotësisht zyrtare, ndërsa realiteti në procedura konkrete tregon të kundërtën. Ai shton se përgjegjësia bie mbi institucionet dhe drejtuesit e mëparshëm që kanë pasur mundësi ta zgjidhin këtë çështje, por nuk e kanë bërë.

Në reagimin e tij kërkohet që kjo problematikë të mos përdoret vetëm për fushata apo deklarata publike, por të mbyllet me vendime dhe ndryshime të qarta ligjore. Sipas tij, vetëm kështu shmangen keqkuptimet dhe garantohet barazi reale në qasje për të gjithë kandidatët.

Ismail Sinani: Fushata “Fol shqip, o taj!” meriton përkrahje dhe VLEN-i medoemos duhet ta zgjidhë çështjen e provimit të jurisprudencës. Por parashtrohet pyetja: “pse o taj ke pritë 20 vjet e s’ke folë shqip, a?”, apo “pse o taj që shitshe mend se shqipja është zyrtare, provimin nuk e ke dhanë edhe shqip, a?”, “pse o taj që dikur udhëhiqshe me Ministrinë e Drejtësisë i ki lanë shqiptaret pa provim në gjuhën shqipe?”.
Të mos gënjehemi, shqipja ka status të avancuar, por nuk është zyrtare siç na është thënë. Ajo ka përdorim në disa fusha, por nuk është zyrtare. E shumta që mund të jetë, është me status të gjuhës së përkthyer.
Serbishtja është zyrtare në Kosovë, gjuha frënge në Kanada… ndersja shqipja në Maqedoni të Veriut ende është larg nga statusi që e dëshirojmë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull