Ish-ushtari i UÇK-së, komandant Baruti, ka reaguar ashpër ndaj ish-ministrit të BDI-së, Bujar Osmani, i cili ka akuzuar koalicionin VLEN për degradimin e gjuhës shqipe. Në një reagim të fortë, Baruti e ka cilësuar hipokrite deklaratën e Osmanit, duke kujtuar se ai dhe partia e tij kanë mbrojtur figura të regjimit të kaluar që ishin përgjegjës për vrasjen e ushtarëve të UÇK-së.
“Është e vërtetë që ne kemi përgjakur rininë tonë për gjuhën shqipe në Maqedoni dhe përsëri, nëse është nevoja, do të sakrifikojmë. Por ta harrojnë politikanët që dikush vritet për ta, sidomos ata që shfrytëzuan pushtetin e shqiptarëve për ta mbrojtur vrasësin e ushtarëve të UÇK-së, Sasho Mijallkov!” – ka deklaruar komandant Baruti.
Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj kritikave të Osmanit, i cili pretendon se VLEN po dëmton pozitat e gjuhës shqipe, ndërsa gjatë kohës sa ai ishte në pushtet, shqiptarët janë përballur me padrejtësi dhe mbrojtje të strukturave të regjimit të kaluar.