Ish-drejtoresha ekonomike e Klinikës për Toksikologji, Besija Iljazi, me vendim të Gjykatës Themelore në Tetovë është e obliguar t’ia kthejë Klinikës paratë e paguara për 17 honoraristë të angazhuar në mënyrë të paligjshme.
Sipas aktgjykimit, ajo duhet të kompensojë dëm material në shumën prej 659.831 denarësh, që është rreth 10.700 euro. Shuma është përcaktuar pas ekspertizës së një eksperti ekonomik. Kërkesa për dëm jomaterial është tërhequr, pasi Iljazi është pajtuar t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e procedurës.
Iljazi më herët pranoi fajësinë për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”. Ajo u dënua me kusht me dy vite burg me mbikëqyrje mbrojtëse, dënim që nuk do të ekzekutohet nëse brenda katër viteve nuk kryen vepër tjetër penale. Përveç kësaj, i është caktuar edhe program individual probacioni dhe plan për mbikëqyrje.
Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2024, në periudhë parazgjedhore, ajo kishte lidhur kontrata në vepër me 17 persona, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore. Disa pagesa ishin bërë në mënyrë retroaktive, ndërsa në listë ishin përfshirë edhe persona me të cilët nuk ishte lidhur fare kontratë. Në këtë mënyrë, buxheti i Klinikës ishte dëmtuar, ndërsa personave të angazhuar u ishte mundësuar përfitim i kundërligjshëm pasuror.
Rasti shkaktoi reagime të shumta publike. Në atë kohë, drejtori mjekësor i Klinikës, dr. Danil Petrovski, kishte refuzuar t’i nënshkruajë angazhimet, duke theksuar se bëhej fjalë për periudhë parazgjedhore.
Kolegiumi profesional i Klinikës kishte alarmuar se, në vend të administratës shtesë, institucioni kishte nevojë urgjente për staf profesional në laboratorin toksikologjik, i cili funksiononte vetëm me një laborant dhe pa biolog. Laboratori është i vetmi në vend që kryen përcaktim semikvantitativ të koncentrimit të substancave psikoaktive dhe, sipas stafit, funksionimi i tij ishte vënë seriozisht në pikëpyetje.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar, në prill 2024, kishte konstatuar se 11 punonjës shëndetësorë punonin pa kontrata të vlefshme dhe kishte urdhëruar t’u ndalohej qasja në Klinikë, por vendimi nuk ishte zbatuar.
Iljazi ishte kritikuar edhe nga organizatat e gazetarëve pasi kishte nxjerrë urdhër me të cilin u ndalonte punonjësve komunikimin me media lidhur me problemet në institucion, veprim që ishte vlerësuar si cenim i lirisë së informimit.

