Politologu Xhenur Iseni ka reaguar ndaj qëndrimeve kontradiktore të BDI-së ndaj Izet Mexhitit, duke vënë në dukje se dikur ai duartrokitej dhe shpallej mjeshtër i politikës, ndërsa sot paraqitet si “i keqi i madh”.
“Dikur, Izeti ishte mjeshtër i artit të politikës brenda BDI-së. U duartrokit, u mburr dhe u ngrit në piedestal nga të njëjtët që sot e shpallin ‘të keqin e madh’. Pyetja që lind natyrshëm është: pse vallë nuk na e treguan këtë ‘të vërtetë’ më herët? Pse kur ishte në oborrin e tyre, e shpallnin të urtë e të mençur, e tani papritur qenka i lig?”, shkruan Iseni.
Duke bërë një krahasim ironik, ai thotë se kjo situatë i ngjan dhelprës së uritur, e cila, kur nuk arrin rrushin, pretendon se është i thartë.
“A është ky një zbulim i vonuar apo një dëshpërim i vonuar? E vërteta është e thjeshtë: kush nuk u nënshtrohet, shpallet armik. Por sa më shumë ulërasin ata që dje e mbanin pranë, aq më qartë duket se problemi nuk është tek ai që iku, por tek ata që mbetën”, përfundon Iseni.

