Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë është institucioni i radhës për të cilin hapet çështja e diskriminimit etnik ndaj shqiptarëve. Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar se së fundmi në këtë institucion janë avancuar 12 maqedonas dhe 1 shqiptar. Por, një gjë të tillë e mohoi zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni, shkruan Portalb.mk.
BDI ka shprehur shqetësim mbi punësimet dhe avancimet e fundit në kuadër të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, përkatësisht në njësinë për Policinë Kriminale.
“Sipas të dhënave të siguruara, nga konkursi i fundit i brendshëm janë avancuar 12 të punësuar të përkatësisë maqedonase dhe vetëm 1 shqiptar, çka përbën një disproporcion flagrant dhe diskriminues në përfaqësimin etnik”, thanë nga BDI.
Ata kërkojnë që të shqyrtohen të gjitha vendimet e marra në këtë konkurs nga Ministria e Punëve të Brendshme, të bëhet transparencë e plotë rreth procedurës së përzgjedhjes dhe kritereve të përdorura dhe të garantohet përfaqësim i drejtë dhe i barabartë i shqiptarëve në institucionet e sigurisë, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe ligj.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni për Portalb.mk e ka mohuar një gjë të tillë. Ai theksoi se për 11 muaj në SPB Tetovë janë bërë 32 avancime dhe 5 punësime të reja, dhe se të gjitha janë shqiptarë.
“Avancimet janë të natyrës së udhëheqësve të sektorit, inspektor të kriminalistikës të të gjitha rangjeve, komandant të njësive policore dhe kryeshef të departamenteve”, tha Iseni.
Ai tha se në Tetovë janë bërë 18 avancime dhe 3 punësime me kontratë dhe në Gostivar 15 avancime dhe 2 punësime.
“Të gjithë janë shqiptarë, por ata nuk e kanë dertin e shqiptarëve, e dimë gjithë dhe besoni se s’ka pasur kurrë avancime më shumë për kaq periudhë të shkurtër kohore, po do t’i postojmë së shpejti të gjitha”, tha Iseni.
Kujtojmë se që nga ardhja e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ka qenë temë e përditshme debati midis partive politike, sidomos pas shfuqizimit në tetor të 2024 të instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Portalb.mk në një analizë së fundmi prezantoi numrat e përfaqësimit etnik në disa institucione që janë në disproporcion me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sipas regjistrimit të popullsisë. Nga të dhënat e siguruara rezultoi se në Presidencë, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO dhe Agjencinë e Administratës, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar.
Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ngjashëm si numerikisht, nuk qëndrojnë mirë në përfaqësim të drejt dhe adekuat as kur bëhet fjalë për pozicione udhëheqëse administrative. Portalb.mk ka analizuar disa institucione shtetërore, për atë se sa shqiptarë ka në pozita udhëheqëse.
Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht ka akuzuar qeverinë aktuale se po punëson pa asnjë baraspeshë sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Ndërkaq protagonistët e koalicionit VLEN tash e një kohë të gjatë vazhdimisht dalin me deklarata se është në përfundim procesi i zgjidhjes ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që nga shfuqizimi i mekanizmit juridik “Balancuesi”. Por një zgjidhje e tillë ligjore po zvarritet me muaj të tërë.