Tiranë, 9 qershor – Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me kënaqësi ka pranuar të flet në një intervistë ekskluzive për portalin Lideri.mk nga Shkupi. Në këtë intervistë ish presidenti shqiptar është shprehur optimist për të ardhmen e Maqedonisë pas formimit të qeverisë së re, kurse ka folur edhe për takimin e fundit me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.
A e bindi Meta-Thaçin të bëhet pjesë e shumicës së re në Maqedoni është një nga pyetjet që ia parashtruam ish presidentit gjatë intervistës së zhvilluar në Tiranë. Në të njëjtën intervistë, ai flet edhe për ngurrimet nëse mundet të kemi destabilizim si rezultat i përbërjes së re qeevritare, por edhe për pritjet nga koalicioni VLEN si pjesë e Qeverisë.
Z. Meta është optimist se me ndryshimet e ndodhura në Maqedoni, vendi ynë do të largohet nga “Ballkani i Hapur”, të cilin e quan projekt të dëmshëm dhe asgjësues për shqiptarët.
Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, ai thekson mjaft kategorikisht se “Shqipërisë i nevojitet përmbysje, e jo ndryshim”, kurse për shqiptarët në përgjithësi thotë se i pret një ardhmëri e ndritur, por “duke luftuar së bashku kundër Kalit të Trojës”.
Intervistën ekskluzive të ish presidentit Meta për portalin Lideri.mk do të mund ta përcillni të plotë në vazhdim:
Lideri: Zotëri Meta, ju i njihni mjaft mirë rrethanat në Maqedoni. Si i komentoni ndryshimet që ndodhën në zgjedhjet e 8 majit?
Ilir Meta: Mendoj që janë ndryshime të mirëpritura, për arsye se vetë rezultati dhe diferenca e jashtëzakonshme midis dy partive kryesore maqedonase tregon se ekzistonte një “uri” për ndryshim.
Së dyti, problemet në rritje sociale-ekonomike dhe të korrupsionit në Maqedoni e kanë bërë këtë ndryshim edhe më të mprehtë. Së treti, përvojat pozitive në të kaluarën në fushën e ekonomisë dhe tërheqjes së investimeve të huaja nga VMRO-ja, kur ajo ka qenë në pushtet, e bëjnë këtë forcë politike shumë të besueshme për të realizuar këtë program tepër ambicioz, që i përgjigjet të gjithë shtresave në Maqedoni, te cilat kanë nevojë për ndryshim dhe për një kujdes nga ana e shtetit dhe e qeverisjes.
Lideri: Në opinion ka edhe dilema nëse me rikthimin e fuqishëm të VMRO-së mund të kthehen edhe politikat e tensioneve ndëretnike?
Ilir Meta: Nuk e besoj se kjo gjë mund të ndodhë, pasi, te mos harrojmë se VMRO-ja ishte në pushtet në kohën kur Maqedonia e njohu Kosovën, te mos harrojmë gjithashtu se VMRO-ja ka qenë kundër Ballkanit të Hapur, që në thelb është një projekt kundër Kosovës dhe që defaktorizon shqiptarët në tërësi në rajon. Kështu që nuk besoj në histori të tilla. Duhet shtuar ketu që une besoj se ata do të ndërtojnë nje partneritet me shqiptarët, si në qeveri, ashtu edhe në opozitë, sepse shoh që kanë një vizion të qartë. Natyrisht ata do të përballen edhe me çështje delikate, siç është çështja me Bullgarinë, por unë besoj se të dy vendet do ta trajtojnë këtë çështje me urtësi, në interesin reciprok dhe në interesin e gjithë rajonit tonë, ku edhe Bullgaria është prezente dhe ka rolin e saj.
Lideri: Si vlerësoni partitë e reja që do të përfaqësojnë shqiptarët në qeveri. A do të mund të na përfaqësojnë me dinjtitet?
Ilir Meta: Është një vendim i elektoratit shqiptar dhe është një vendim i fituesit për zgjedhur partnerët e qeverisjes. Unë besoj se shqiptarët si në qeveri dhe po ashtu në opozitë do të jenë një garanci për të mbrojtur të gjitha arritjet europiane dhe euroatlantike të Maqedonisë, por edhe për të shënuar arritje të reja. Unë pata kënaqësinë para pak ditësh të kisha këtu të ftuar kryetarin e partisë historike shqiptare, Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, z. Menduh Thaçi, i cili ishte shumë i ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm, që ka opozita në këto momente.
Lideri: Kishte aludime në Maqedoni se takimi juaj me z. Thaçi ka pasur për qëllim ta bindni atë të bëhet pjesë e mazhorancës. Biseduat në këtë temë në takim?
Ilir Meta: Absolutisht që nuk ka asnjë lidhje takimi ynë me aludime të tilla. Z. Thaçi është në politikë ndoshta më me përvojë se sa unë dhe ai ka kaluar periudha dhe eksperienca tepër të vështira, të cilave u ka mbijetuar me shumë kurajo dhe vendosmëri. Njëkohësisht, z. Thaçi nuk është nga ata që mendon se të mbetesh në opozitë është fatkeqësi. Përkundrazi, ai shikon dhe e përjeton si një mision. Po ashtu desha te them se nuk është detyra ime të ndërhyj në çështjet e brendshme të Maqedonisë, përveç se në krizën e periudhës së 2001-shit, kur une kam ndërhyre për të ulur në tavolinë Ali Ahmetin me Arbër Xhaferin, sepse ishte një domosdoshmëri për Marrëveshjen e Ohrit, e cila do të bëhej edhe për të evituar konfrontimin mes shqiptarëe. Nëse në zgjedhjet e fundit pati një ndërhyrje nga ana ime, lidhur me palën maqedonase, kjo ishte për shkak se VMRO-ja është deklaruar publikisht kundër Ballkanit të Hapur dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua si Kryetar i një Partie shumë të rëndësishme në Shqipëri, por edhe si ish President i Republikës, ish kryeministër dhe ish kryeparlamentar i Shqipërisë, sepse Ballkani I Hapur ishte një projekt asgjësues për Kosovën dhe nga ana tjeter për të forcuar rolin e Serbisë si një faktor hegjemon në rajonin tonë.
Lideri: A mendoni se Maqedonia mund të destablizohet shkaku i përbërjes së qeverisë së re?
Ilir Meta: Nuk shikoj asnjë arsye përse Maqedonia të ketë shqetësime të tilla. Është e rëndësishme vetëm, që Maqedonia të ecë në rrugën e saj evropiane dhe të përmbushë detyrat e saja si anëtare e NATO-s. Çdo retorikë jokonstruktive mendoj se është e padobishme.
Lideri: Patëm ndryshime në Kosovë, ndodhën në Maqedoni, a mendoni se do të ndodhin së shpejti edhe në Shqipëri?
Ilir Meta: Ndryshimeve në Shqipëri u ka ikur koha me kohë dhe do te duhej te kishin ndodhur. Pikërisht me qellimin për të realizuar projektet ogurzeza për ndarjen e Kosovës, ku Edi Rama kishte një rol kryesor dhe ka ende një rol të rëndësishëm, pikërisht për të realizuar Ballkanin e Hapur dhe për të realizuar shpopullimin e qellimshem te Shqipërisë, ndryshimi në Shqipëri u ble nga Edi Rama dhe u shit për fat të keq nga faktorë të caktuar ndërkombëtarë, të cilët në të gjithë këto zhvillime negative në vendin tonë u vendosën në krah të agresorëve dhe jo të viktimës. Dhe kur them në krah të agresorëve, e kam fjalën pra në krah të politikave shoviniste të Beogradit dhe jo të viktimës, ku kam parasysh thjesht mbrojtjen e arritjeve të deritanishme të Kosovës për shtetbërjen e saj, e cila është realizuar me shumë sakrifica te perbashketa edhe të shqiptarëve edhe të ndërkombëtarëve. Shqipëria sot ka nevojë për përmbysje dhe nuk ka nevojë për ndryshim, sepse realisht ne Shqiperi ka ndodhur një grusht shteti, ku janë përmbysur të gjitha parimet e shtetit te së drejtës, të kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe Shqiperia për shkak të kësaj qeverisjeje është bëre vendi i parē në Evropë dhe i dyti në botë për nivelin e korrupsionit.
Lideri: Cili është mendimi juaj për të ardhmen, çka i pret shqiptarët?
Ilir Meta: Shqiptarët, duke luftuar së bashku, pas asnjë diskutim i pret një e ardhme shumë e mirë. Shqiptarët, duke izoluar të keqen, Kalin e Trojës dhe të gjithë mercenarët, sidomos këta të ideologjisë Prindi 1 dhe Prindi 2, pa asnjë diskutim do të mbrojnë kombin, do të mbrojnë familjen shqiptare, traditat tona më të mira, historinë tonë dhe identitetin tonë si dhe do të kenë një të ardhme dinjitoze si shqiptarë dhe si evropianë njëkohësisht. Pra, nuk do të shndërrohen në statistika të pavlera, te cilat u interesojnë vetëm atyre që i shohin shqiptarët si konsumatorë.
Lideri: Falemnderi shumë që pranuat të jepni intervistë ekskluzive për portalin Lideri.mk.
Ilir Meta: Ishte kënaqësia ime dhe ju uroj të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut suksese. Për ne është tepër jetike që Maqedonia e Veriut të lulëzojë si një shtet i së drejtës ku garantohen të drejtat e njeriut dhe në mënyrë të veçantë të drejtat e shqiptarëve, që janë një faktor madhor shtetëformues dhe prosperiteti e mbarëvajtjta e Maqedonisë së Veriut është një kontribut madhor për të gjithë Ballkanin./Lideri