Imami nga Saraji Omer Bajrami është renditur në vendin e 15-të në listën e 20 influencerëve më të ndjekur në Instagram në Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, sipas një klasifikimi të publikuar së fundi mbi ndikimin e krijuesve të përmbajtjes në rrjetet sociale në vend, përcjell Zyrtare.
Sipas përshkrimit, Bajrami vlerësohet si figurë fetare me ndikim dhe ligjërues në xhaminë qendrore në Saraj, ndërsa prania e tij në rrjetet sociale karakterizohet nga mesazhe që theksojnë bamirësinë, drejtësinë dhe rëndësinë e besimit. Përmbajtjet e tij trajtojnë edhe çështje shoqërore dhe inkurajojnë solidaritetin me shtresat në nevojë.
Në këtë renditje, e cila përfshin këngëtarë, sportistë, artistë dhe krijues lifestyle, Bajrami është një nga figurat e pakta fetare që arrin të pozicionohet në mesin e influencerëve më të ndjekur në vend. Ai ka marrë 81.5 pikë nga 100 në indeksin e Instagramit, duke u renditur para disa emrave të njohur të skenës publike.
Në krye të listës është rënditur violinisti Petar Markoski, e dyta në listë është Martina Simjanovska, blogere kulinare me receta të shpejta dhe përmbajtje gatimi për shtëpi, ndërsa i treti është Stefan Lazarov, moderator i disa emisionve në YouTube dhe Instagram.
Lista për vitin 2025 dominohet kryrsisht nga figura të muzikës, argëtimit dhe lifestyle.
Në këtë link mund ta shihni listën e plotë të rënditjes: https://www.favikon.com/blog/top-instagram-influencers-north-macedonia


