Ibrahimi për akuzat ndaj BDI-së lidhur me zjarret: Mizën nën kapuç!

2 Min. Leximi

Një reagim i fuqishëm ka ardhur nga kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, lidhur me incidentet e fundit në rrethinën e Shkupit, ku po hetohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Në një status publik, Ibrahimi ngre akuza të rënda në drejtim të BDI-së, duke thënë se kjo parti, në mungesë të shpresës për t’u rikthyer në pushtet, po inskenon incidente për të krijuar një kauzë të rreme politike.

- Advertisement -

“Kanë qarkulluar informacione qysh më parë se BDI-ja, në mungesë të shpresës për t’u kthyer në pushtet, do të inskenojë incidente, që t’i përdorë për ta legjitimuar atë që ajo e quan kauzë politike, ndërsa emrin e vërtetë e ka nongrata, kazino, korrupsion e krim,” shkruan Ibrahimi.

Ai thekson se disa eksponentë të BDI-së, përfshirë edhe kryetarin e një dege në Shkup, po dyshohen si të përfshirë në zjarrvëniet që kanë shkaktuar dëme në natyrë, pronë private dhe biznese.

Duke aluduar edhe në reagimin e koordinuesit të grupit parlamentar të BDI-së, Ibrahimi thotë: “Aty ku ka tym, ka edhe zjarr”.

Megjithatë, ai shpreh respekt për parimin e prezumimit të pafajësisë dhe thotë se do të presin zhvillimet hetimore. Por nëse dyshimet rezultojnë të sakta, ai paralajmëron pasoja të rënda politike:

- Advertisement -

“Ky nuk do të jetë vetëm fundi i jetës politike për ata që janë të përfshirë në këta skenarë, por do të jetë edhe fundi i një partie të ndërtuar me mjete të këtilla… si dhe fundi i një lideri që hyri në skenë si çlirimtar, ndërsa mund të përfundojë duke e ruajtur vetëm prapashtesën e këtij emri.”

Ky reagim vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe shoqëror në vend, ndërsa institucionet janë ende duke hetuar incidentet në fjalë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull