“Po takohemi përsëri në Çair jo për të thënë lamtumirë por për ta sjellë lajmin e mirë. Çairi mbetet në duar të sigurta”, kështu e nisi fjalimin e tij njëri nga krerët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi në tubimin madhështor të VLEN-it që po mbahet në Stadiumin e Çairit.

“Ne sonte këtu jemi për ta vulosur këtë ndryshim të madh. Ashtu siç e dini sa herë që ne folëm për përrfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ata qeshnin me ne, por 2300 vende pune, 700 avancime dhe ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat u bënë realitet. Ne folëm për mbyllje të kazinove dhe ata qeshnin, por ligji që shumë shpejtë do të miratohet, do ta thartojë shumë shpejt edhe atë buzëqeshje. Ne folëm për zyrtarizimin e medresesë dhe ata qeshën, por ne nuk u tallëm as me fenë e as me hoxhallarët, por e bëmë ligjin për zyrtarizimin e medresesë. Ata nuk janë të zemëruar me fjalët tona, por janë të tërbuar me rezultatet tona”, deklaroi Ibrahimi.
Ai mes tjerash tha se këto zgjedhje janë një test për pjekurinë politike dhe qytetare, “a do të votojmë për Izetin e punëve apo për Aliun e sharjeve”.
