Kryetari i Alternativës dhe njëherësh pjesë e koalicionit qeveritar VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar me ironi pas takimit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, me imamin e vetshpallur dhe figurën kontroverse të njohur si Tim Shkupi.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ibrahimi uroi besimtarët për ditën e shenjtë të xhumasë dhe shfrytëzoi rastin për të shtruar një pyetje me nënkuptim të thellë:
“Zoti ua bëftë kabull adhurimet e kësaj dite të shenjtë të xhumasë! Kur jemi këtu, në kuadër të temës që u zhvillua këto ditë, edhe një pyetje: në cilën xhami do ta falë xhumanë Imami i Soravisë?”
Kjo deklaratë vjen pasi në një video të publikuar së fundmi, imami kontrovers Tim Shkupi, me të cilin Ahmeti është takuar, deklaron se “feja e shqiptarit është shqiptaria” – një deklaratë që ka ngjallur reagime të shumta dhe ka hapur debat në opinion për raportin mes identitetit kombëtar dhe atij fetar.