“Nuk mbulohet dielli me shoshë!” – me këtë fjali e nisi reagimin e tij kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, duke përshëndetur zgjidhjen e çështjes së 155 punëtorëve shëndetësorë në Spitalin Klinik të Tetovës.
Sipas tij, pas shumë vitesh presionesh, shantazhesh dhe zvarritjesh nga pushteti i kaluar, më në fund këta punëtorë do ta kenë të rregulluar statusin e tyre të punës.
“Kjo është një fitore e madhe jo vetëm për punonjësit, por për të gjithë sistemin shëndetësor në Tetovë dhe më gjerë,” – shkruan Ibrahimi. Ai thekson se me këtë vendim u jepet fund dilemave të mjekëve dhe infermierëve që kishin planifikuar të largoheshin nga vendi, duke mbetur në shërbim të qytetarëve të vendit.
Ibrahimi ia atribuon këtë sukses qeverisjes së VLEN-it dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Urime gjithë të punësuarve në këtë institucion!” – përfundon ai.