Përderisa po afrohet koha për shpalljen e kandidatit për kryetar komune në Strugë nga Fronti Evropian, tensionet brenda koalicionit, veçanërisht në radhët e Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës, janë duke u shtuar ndjeshëm, shkruan Zyrtare.net
Sipas marrëveshjes politike brenda Frontit Evropian, kandidatura për komunën e Strugës i takon partisë së Ziadin Selës. Megjithatë, në vend të qartësimit, zhvillimet e fundit kanë sjellë më shumë paqartësi dhe përplasje të brendshme. Emri i Selës përmendej fillimisht si kandidat potencial, por burime të brendshme thonë se ai është në dilemë për të garuar. Sipas informacioneve të siguruara, Sela nuk renditet mirë në sondazhe përballë kandidatit të pavarur Mendi Qyra, i cili gëzon përkrahjen e koalicionit VLEN.
Një arsye tjetër që e bën Selën të hezitojë janë paralajmërimet për sabotim të mundshëm nga strukturat lokale të BDI-së, që ende mbajnë ndikim të konsiderueshëm në terren. Në këtë situatë të paqartë, në sipërfaqe kanë dalë edhe përplasjet brenda vetë degës lokale të Aleancës për Shqiptarët në Strugë.
Lulzim Nasufi, kryetar i degës dhe figurë aktive politike për më shumë se tre vjet, ka shprehur hapur ambiciet e tij për të kandiduar për postin e kryetarit të komunës. Ai thuhet të ketë zhvilluar së fundmi një takim me Ziadin Selën dhe disa përfaqësues të mërgatës, ku ka deklaruar pozicionin e tij pa ekuivok.
“Nuk ia lëshoj rrugën asnjë kandidati përveç kryetarit Sela. Nëse ai nuk del, atëherë unë do të jem kandidat për kryetar komune. Kompromis tjetër nuk mund të ketë”, mësohet të ketë deklaruar Nasufi para bashkëbiseduesve të tij, mëson Zyrtare.net
Por ambicia e Nasufit nuk ka hasur mirëkuptim nga të gjithë. Sipas burimeve të afërta me strukturat e ASH-së, Krenar Lloga, nënkryetar i partisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ziadin Selës, po shtyn përpara kandidaturën e mjekut Arsim Dalipi nga Livadhia, duke e parë atë si alternativë më të pranueshme dhe më të qëndrueshme për këtë garë.
Kjo përçarje e brendshme, e shoqëruar me mungesë vendimmarrjeje definitive, ka shkaktuar pasiguri dhe tension në rradhët e anëtarësisë dhe strukturave lokale të partisë.
Në prag të një fushate të ngjeshur zgjedhore dhe në një komunë ku balancat politike janë delikate, zgjedhja e kandidatit për kryetar komune nga radhët e Frontit Evropian do të jetë vendimtare jo vetëm për fatin elektoral të koalicionit, por edhe për të ardhmen e vetë Aleancës për Shqiptarët në Strugë.
Në ndërkohë, qyteti po përjeton ditë të nxehta vere, por temperaturat më të larta duket se janë ato politike. Zhvillimet e ardhshme pritet të jenë vendimtare./ ZYRTARE.net