Shkruan: Ismail SINANI
Gjithçka nisi kur njërit prej vëllezërve iu kujtua ta vendosë një hu në tokë dhe të thotë “këndej e tutje është toka ime”. Nga ai moment plasi sherri, sepse toka e gjithkujt nisi të bëhet e dikujt. Prej atëherë e deri më sot, askush nuk di të tregojë saktë se sa shekuj apo dhjetëra mijë vjet kanë kaluar, por një gjë është e sigurt: nga ajo ditë e këndej, gjaku ka shkuar lumë, saqë në 500 vjetët e fundit ndoshta janë vrarë mbi 500 milionë njerëz me pretendimin se “toka është e imja”.
Ai vëllai që e ka vendosur hurin në tokë, po ta kishte ditur se çfarë belaje po i ndjell njerëzimit, me siguri se kurrë nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë, ama… ja që nuk mund të ndryshojë rrjedha e historisë. E huri, pas shumë mijë vjetësh, bëhet sebep për ta shpikur një nocion të ri politik – sovranitetin, si një risi leksikore me impakt të thellë shoqëror që ndikon në çdo shoqëri.
Sot, në mileniumin e tretë të epokës së re, fatin për t’u thirrur në sovranitet e kanë pak më shumë se 200 kombe, por kanë ngelur edhe rreth 5000 apo 6000 etni që nuk e kanë pasur këtë fat. Këto 5000 apo 6000, sepse askush nuk di të tregojë saktë, nuk dimë nëse duhet t’i vajtojmë apo t’i përgëzojmë që kanë shpëtuar nga ky përkufizim. Nacionalistët me siguri do të thoshin se është shumë keq për ta. Liberalët do të thoshin se popujt e tillë e kanë fatin që të shpëtojnë nga përgjegjësia e të qeni sovran. E vërteta nuk dihet nëse është në mes ose nëse anon nga njëra anë apo tjetra, por ajo që shihet sot është se të qenët sovran apo ta quash veten komb sovran po sjell reperkusione të mëdha, deri në përmasa gjenocidi.
Por, çfarë është sovraniteti? Çfarë nënkupton ai? Kujt i atribuohet? A është i realtë?
Politologjia duket se ende nuk ka arritur ta definojë qartë. Deri më sot shërbehet me lloj-lloj teorish, ca të vjetra 500 vjet, ca më shumë, e ca të reja… Por, ndryshe nga profesorët e fizikës, që kanë arritur ta saktësojnë temperaturën e vlimit të ujit, por edhe të ngrirjes, që kanë arritur një herë e mirë ta shpjegojnë se ç’është fotosinteza, në shkencat humane definicionet dhe përkufizimet janë më të vështira, thuajse të pamundura, pasi që çdoherë e në çdo kohë del dikush me një koncept të ri “intelektual” dhe e përmbys nëse jo gjithë atë që është thënë më herët, pjesën më të madhe gjithsesi se po.
E nëse nisim të flasim me terma pak më konkretë, do të shohim se si “babai i sovranitetit”, kuptohet në rrafshin intelektual, me konsensus të heshtur, në njëfarë mënyrë pranohet se është Jean Bodin. Por, edhe vepra e tij kur lexohet nga syri i sotëm, lë shumë hapësirë për kritikë, pasi që ai kur flet për sovranin – monarkun, mbretin, princin, përdor terma shumë absolutë, që, parë nga kjo perspektivë, mund ta akuzojmë se ka qenë një promovues i diktaturës, qasje gjithsesi e pavend, sepse ai flet për “kohën e tij”. Megjithatë, nëse mund ta paketojmë disi, kuptojmë se “sovran është ai që ushtron autoritet mbi dikë pa pasur mbi kokë dikë tjetër”. E ky sovranitet i këtillë mbi dikë, mbi një tokë të caktuar, ndeshet me autoritetin dhe sovranitetin e “vëllezërve të tjerë”, që kur e panë vëllain e tyre duke vendosur hunj, e kuptuan se po qe se nuk do ta bëjnë të njëjtën gjë, do të ngelin keq, madje edhe pa tokë.
E pastaj dihet… plasë sherri. Në fillim me heshta… më vonë dihet… e sot po e shohim… e pastaj po e imagjinojmë se si… dhe pas “imagjinatës”, siç ka thënë edhe Ajnshtajni, duket se sërish me heshta.
Përse gjithë ky debat rreth sovranitetit? Përse revista “Shenja” u mor me këtë problem(atikë)?
Fundi i Luftës së Dytë Botërore, pas vrasjeve masive dhe një përfundimi brutal me hedhjen e bombave atomike në Japoni, te shumë intelektualë të kohës, me apo pa të drejtë, e krijoi iluzionin se bota ka hyrë në fazën finale, atë të paqes së përhershme.
Kjo teori, sa cinike aq edhe absurde, më shumë vjen nga qasja eurocentrike, pasi që qytetërimi perëndimor, nga Mesjeta e sidomos pas Revolucionit Industrial, kurrë nuk ka qenë në gjendje ta shohë botën në pamjen e saj të vërtetë. Madje, për ta përligjur këtë qasje të tyre, sa raciste aq edhe ksenofobe, me dekada të tëra kanë prodhuar teori që “do ta mbulojnë” paturpësinë e tyre se kolonizimi i botës, parë me terma modernë nëpërkëmbja e sovranitetit, bëhet vetëm për të mirën e atyre popujve. Se sa të pacipë kanë qenë në qasjen e tyre “humaniste”, kuptohet jo të gjithë, mjafton ta lexojmë Edward Said-in për t’i kuptuar përmasat e këtij cinizmi qytetërimor. Dhe, si rezultat i eksportit të këtyre “vlerave”, sot popullata me ngjyrë përbën rreth 20 për qind të SHBA-së ani se “kontinenti i tyre mëmë” është Afrika. Sot kemi gjithë Amerikën Qendrore dhe Latine që nuk e përdor gjuhën indigjene, por flasin portugalisht ose gjuhën spanjolle. Po kështu kemi Australinë dhe Zelandën e Re që “gjuhë të nënës” e kanë anglishten… e kështu me radhë e kështu me radhë…
Atëherë sërish vijmë te pyetja se çfarë është sovraniteti modern? Në fakt, a mund të flitet për të? Cilat shtete janë sovrane? A janë gjithë këta 205 shtete që e kanë deklaruar pavarësinë si shtete sovrane? Çfarë është NATO, BE, OKB..? Apo sovranë janë vetëm të fuqishmit, derisa janë të fuqishëm, e pastaj kur të zbehen, të vegjlit përreth tyre kërkojnë “ombrellë të re” të sovranitetit?
Në vitin 1975, në Helsinki u mbajt konventa për paprekshmërinë e kufijve. Kjo konventë, aspak e sinqertë, erdhi në një kohë kur bota po davaritej me fronte nëpër shumë vende ose sa kishin përfunduar. Vietnami e Koreja ishin vetëm dy shembujt më të freskët në kujtesën e asaj kohe. Kuptohet, Afrika as që është bërë hesap, pasi që “padronët” e saj në atë kohë, ishin të zënë me nxjerrjen e arit nga minierat, ndërsa në Lindje të Mesme, diktatorët puthadorë vinin e shkonin në glamurin e tyre, me kusht që të mos preken burimet e naftës. Për të mos e humbur fillin… Kjo konventë i prodhoi disa pika në formë të aktit, në thelbin e të cilit qëndronte mosndryshimi i kufijve, mospërdorimi i forcës për ndryshimin e kufijve, integriteti territorial, barazia mes shteteve dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve. Historianët eurocentrikë sërish nuk ishin të sinqertë. Ata nuk i treguan botës së kjo konventë ishte arritur sepse përballë kishte Paktin e Varshavës, një fuqi e madhe që për çdo ditë e rrezikonte Europën Perëndimore dhe atë Veriore.
Katërmbëdhjetë vjet më pas, kur u shemb Muri i Berlinit, Konventa e Helsinkit mbeti vetëm në letër. Ajo përdorej si adut nga të dobëtit, por jo edhe nga ata që kërkonin ndryshimin. Dhe, bota ndryshoi. Ndryshoi aq shumë, saqë po t’u hedhësh një sy lëvizjeve viskoze gjeopolitike, të merren mendtë nga gjithë ai ndryshim. Bipolariteti përfundoi dhe u shfaq unipolariteti me në krye SHBA-në dhe vendet e saj aleate që kontrollonin mbi 60 për qind të GDP-së së botës dhe kishin kontrollin maksimal teknik dhe teknologjik.
Por, meqë nuk jemi në “fundin e historisë”, që e kishte parashikuar Fukujama, bota sërish në këto 20 vjetët e fundit përjetoi një ndryshim rrënjësor. GDP-ja tashmë nuk ishte “në duart e Perëndimit plus Japonisë”. Në terren u futën lojtarë të rinj, që u rikthyen në garën ekonomike që e kishin humbur në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë – Kina dhe, gradualisht, India, kurse Rusia, ndonëse “ekonomi rajonale”, për shkak të gjerësisë së madhe territoriale dhe 6000 “kokave bërthamore”, u bë lojtar serioz në fushë, sidomos sot në këtë kohë.
E kur bota ndryshon kaq shpejt e papritur, edhe “të palarat historike” dalin pa kontroll.
Derisa në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar “të gjithë besonim?!” se Perëndimi po “eksporton demokraci” në Irak, Afganistan, Algjeri, e së fundmi edhe në Libi e Egjipt, del Trampi dhe pa ekuivoke na tregon se ai e dëshiron naftën e Venezuelës, Kanalin e Panamasë, Kanadanë, Grenlandën, gjithë hemisferën jugore të Amerikës… kurse europianëve u thotë se “me juve nuk lodhem shumë: ose jeni me mua ose jeni përballë meje”. E këta të fundit, përfshi këtu Kanadanë, brenda natës e kuptojnë se paskan jetuar në iluzionet që i kanë mbjellë vet pas Luftës së Dytë Botërore se do të kenë miqësi të përhershme. Pastaj vjen këndellja. Kanadaja e para e “thyen siparin”. Kryeministrit të saj i “plas filmi” dhe tregon se kanë qenë në ëndërr dhe se koha e kërkon “të lidhet edhe me Kinën”, kurse Europa shkon edhe një hap tutje, gjithë Komisioni Europian shkon e përkulet para Narendra Modi-t të Indisë, para atij shteti, popullin e të cilit deri para 50 vjetëve nuk e kanë trajtuar as si specie që e ka kaluar stadin evolutiv të Darvinit.
Dhe, sërish gjithë ky debat zhvillohet në dy pista të mëdha: Lindje dhe Perëndim. Lindja e Mesme dhe Afrika nuk përmenden aspak. Nëse tek-tuk haset diku Lindja e Mesme, ajo përmendet në kontekst të “nevojës për sulm të ashpër ndaj Iranit”, që ashtu të shpëtojë Izraeli. Kaq!
I vetmi shtet që i prish ekuilibrat është, si gjithmonë, Turqia, pronarja e Bosforit, udhëkryqit të “historisë moderne”. Fuqia në ngritje e saj në përmasa të frikshme, për dikë-dikë në kontekst rajonal, gjithë këta “aktorë të sipërpërmendur”, i bën të jenë të kujdesshëm me të. Të gjithë e marrin me të mirë, pasi që pozicionimi i saj në cilindo krah shihet si shtysa vendimtare në këtë rikonfigurim politik e gjeopolitik.
E krejt në fund, ne si shqiptarë, duhet ta shohim se si e kemi hallin. A rrezikojmë të bëhemi bretkosa që ka shfaqur dëshirë të mbathet, a do bëhemi dhelpra dinake apo do ta luajmë rolin e gjelit që këndellet e, në fund, përfundon në tepsi?
Para nesh janë shumë pista. Definimi i miqve të kohës është proces që duhet ndjekur me vëmendje. Anija jonë gjendet e ankoruar në Europë. Miq të përhershëm s’ka. Ka vetëm interesa afatgjate. Bashkimi Europian është në krizë… sidomos demografike, por edhe ekonomike. Shtetet e Bashkuara po dëshmojnë se nuk e pyesin askënd në Perëndim. Trampi falë “tokat e huaja” si t’i teket. Kosovën e kemi ashtu siç e kemi. Shqipërinë e kemi me një kryeministër që herë vishet me kule e herë me atlete. Herë me Taipin e herë i “dridhen këmbët” para Netanjahut. Sot për sot duket se jemi të sigurt, pasi që “kjo gjeografi” është në NATO, ama nesër s’i dihet!? Politikanët flasin me gjuhën që kanë dëshirë t’i dëgjojë Brukseli e Uashingtoni. Ata që e quajnë veten ekspertë, i japin zor edhe më shumë se politikanët që të duken të mirë “para fondeve” të Brukselit dhe Uashingtonit. Historia e ka dëshmuar se tradhtia – gabimi i sotëm, paguhet nesër. Këtij parimi nuk i shpëton as individi e as shteti. Realpolitika na mëson se duhet të jemi me të fortin. Atëherë i bie se ne jemi mes dualizmit: e vërteta dhe pragmatizmi. E vërteta e ka koston e lartë sot, por mund të shpërblehet nesër. Realpolitika ka kosto të lirë sot, por kushton shtrenjtë nesër. I bie se duhet gjetur diku një mes i artë. As të rrëmbehemi me “dashni të pafundme” ndaj aleatëve, e as të mos shpallim armiqësi të kota.
Tolstoi, para 130 vjetëve ka thënë se “ne jetojmë me bindjen se jemi zota të jetës sonë, se ajo na është dhënë për kënaqësinë tonë. Por kjo është padyshim absurde. Sepse, nëse ne jemi dërguar këtu, ka qenë me vullnetin e dikujt dhe për ndonjë arsye”.
Nëse fati ynë është të jemi këtu, ka diçka që ne nuk e dimë. Mjafton të jemi syçelë dhe të mos e marrim veten në qafë me budallallëqet tona, siç dikur pati bërë Enver Hoxha.
(Editoriali i revistës “Shenja”)

