Hoxha: Mbi 1 milion euro investime në makineri në deponine Rusino

3 Min. Leximi

Promovohet mekanizmi i ri për Ndërmarrjen Publike “Rusino – Pollog”

Në deponinë rajonale “Rusino” u promovua mekanizmi i ri që do të shërbejë për mirëmbajtjen dhe modernizimin e saj, në kuadër të investimeve për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në rajonin e Pollogut.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, deklaroi se me këtë investim fillon një ndryshim real në trajtimin e mbetjeve, duke i dhënë fund improvizimeve të deritanishme. Ai theksoi se mekanizmi i promovuar ka vlerë mbi një milion euro dhe se viti 2026 do të shënojë kthesë drejt krijimit të hapësirave më të pastra dhe më të gjelbra.

Ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Kristofer Zomer, u shpreh i kënaqur që është pjesë e lëshimit në përdorim të makinerisë së re për deponinë “Rusino”. Ai theksoi se Zvicra ka kontribuar me 1.9 milionë franga për fazën e parë të projektit dhe është bashkëfinancuese edhe për fazën e dytë me nëntë milionë franga. Sipas tij, pajisja e re ka rëndësi të veçantë për mirëmbajtjen dhe funksionimin efikas të deponisë, ndërsa para institucioneve mbetet ende shumë punë për ta vënë plotësisht në funksion makinerinë. Ai paralajmëroi se në mars të vitit 2026 do të hapen tenderë për sigurimin e kontejnerëve për të gjithë rajonin e Pollogut.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rusino – Pollog”, Sazan Horvati, deklaroi se me mekanizmin e ri ndërmarrja përfiton pajisje moderne që do të shërbejnë në transformimin e deponisë sipas standardeve bashkëkohore. Ai bëri të ditur se në fazën e ardhshme planifikohet edhe zgjerimi i kapaciteteve të deponisë.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, theksoi se ky investim paraqet hap konkret drejt menaxhimit më të mirë të mbetjeve. Sipas tij, me pajisjen e re dhe investimet e realizuara rritet kapaciteti operacional në disa segmente të rëndësishme.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u shpreh se me këtë projekt vendoset një standard i ri për hapësirën ku jetojnë qytetarët dhe për cilësinë e ajrit. Ai shtoi se “Rusino”, nga një problem i vjetër, po shndërrohet në një zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve sipas standardeve evropiane.

Edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, deklaroi se me këtë investim fillon një ndryshim real në trajtimin e mbetjeve, duke i dhënë fund improvizimeve të deritanishme. Ai theksoi se mekanizmi i promovuar ka vlerë mbi një milion euro dhe se viti 2026 do të shënojë kthesë drejt krijimit të hapësirave më të pastra dhe më të gjelbra.

Projekti për modernizimin e deponisë “Rusino” mbështetet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, në kuadër të përpjekjeve për vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të menaxhimit të mbetjeve në rajon.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull