Hoxha-Kasami: Fokus i fuqishëm investimesh për mjedisin në Tetovë

1 Min. Leximi

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi një takim pune me kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami.

Në fokus të bisedimeve ishin investimet që Ministria po realizon në Tetovë, përfshirë rindërtimin e tubacionit kryesor nga Kodra e Diellit deri në qytet, zgjerimin e rrjetit primar në vendbanimin “Jashtëvardarit” dhe ndërtimin e kolektorëve për kanalizim atmosferik në Falishe dhe Dardani, projekte që janë në faza të ndryshme të realizimit.

Gjatë takimit u diskutuan edhe projektet e financuara nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke përfshirë fazën e dytë të rindërtimit të ujësjellësit dhe ndërtimin e Stacionit të Transferimit të mbetjeve në Tetovë.

Pjesë e aktiviteteve investuese janë edhe projektet në kuadër të instrumentit IPA, ku pritet nënshkrimi i kontratave për ndërtimin e stacionit për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit.

Bashkëbiseduesit u zotuan për bashkëpunim të ngushtë institucional për realizim efikas të projekteve dhe përmirësim të qëndrueshëm të kushteve të jetesës për qytetarët e Tetovës.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull