Hoxha i përgjigjet BDI-së: Nuk ka punësime maqedonasish, janë avancime të vjetra, së shpejti punësohen 20 shqiptarë të rinj!

2 Min. Leximi

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka reaguar pas kumtesës së BDI-së, në të cilën thuhet se në Ministrinë e Bujqësisë janë punësuar 10 shqiptarë dhe asnjë maqedonas. Hoxha ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të stafit ekzistues.

“Fillimisht një sqarim: nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të brendshme të stafit ekzistues në Ministrinë e Bujqësisë. Dhe për ta bërë edhe më të qartë: unë jam në detyrë vetëm tre javë. Këto janë procedura të nisura shumë kohë më parë, kur përgjegjës për sektorin ishte dikush tjetër”, thekson Hoxha.

- Advertisement -

Ai ka adresuar edhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të ish-zëvendësministrit të emëruar nga ASH e Arben Taravarit, duke thënë se për afro një vit nuk ka bërë asnjë përpjekje për të avancuar kuadrot shqiptare, duke u mjaftuar vetëm me emërimin e një shoferi personal.

“Sot në ministri ke shqiptarë që punojnë prej 10-15 vitesh me titullin ‘pomlad sorabotnik’, sepse kështu i ka lënë BDI-ja e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit, partnerët më të rinj të z. Arben Taravari”, thotë ai, duke akuzuar për sabotim edhe njerëzit e afërt të Taravarit që, sipas tij, gjatë këtij viti kanë penguar çdo përpjekje për barazi në punësim dhe avancim.

Por Hoxha jep edhe një lajm të mirë për qytetarët. “Ua kemi prishur planet! Së shpejti, në Ministrinë e Bujqësisë do të fillojnë punë 20 shqiptarë të rinj, përmes procedurave të rregullta dhe të merituara. Gjithashtu, brenda këtyre tre javëve, kam detektuar edhe problemin sistematik të neglizhencës ndaj administratorëve shqiptarë. Shumë shpejt do të nisim procedurat konkrete për avancimin e tyre të ligjshëm dhe të merituar”.

Zëvendësministri thekson se ndryshe nga paraardhësit, të cilët kanë pasur vite për të vepruar, ai dhe ekipi i tij do të sjellin rezultate në pak javë “Spinat e frontmenëve nuk na dekurajojnë. Përkundrazi, na motivojnë. Po punoj me ndershmëri, do të vazhdoj me përkushtim, dhe nuk do të hesht përballë asnjë padrejtësie”, përfundon reagimin Albrim Hoxha.

- Advertisement -

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull