Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon hetime paraprake lidhur me dyshimet për spiunazh të mundshëm dhe nxjerrje të paautorizuar të të dhënave nga sistemi kompjuterik në Kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, raportoi “Sloboden Peçat”, transmeton INA.
Sipas kësaj gazete, në Prokurori dhe në redaksi është dorëzuar një kallëzim penal anonim i nënshkruar nga “një grup të punësuarish në MPB”.
Në kallëzim pretendohet se të dhëna konfidenciale janë kopjuar dhe enkriptuar, me dyshime se ato mund të kenë përfunduar tek shërbime të huaja të inteligjencës. Siç shkruan “Sloboden Peçat”, nën dyshim është një IT-administrator në Kabinetin e presidentes, ndërsa përmenden edhe persona të tjerë nga Kabineti dhe nga Agjencia e Zbulimit. Nënshkruesit kanë kërkuar ekspertizë forenzike të pajisjeve elektronike, kontroll të video-mbikëqyrjes, regjistrave VPN dhe komunikimeve elektronike.
Nga Prokuroria kanë konfirmuar se që nga dhjetori i vitit të kaluar po zhvillohet hetim paraprak pas një “alarmimi” të marrë nga Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së. Hetimi ende nuk ka përfunduar, pasi ende nuk është dorëzuar raporti përfundimtar për dekriptimin e të dhënave që dyshohet se janë nxjerrë.(INA)

