Hebrenjtë në SHBA preferojnë Mamdanin përballë Netanyahut

3 Min. Leximi

Sipas të dhënave më të fundit, 44% e hebrenjve amerikanë shprehin mbështetje për kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, krahasuar me vetëm 32% që mbështesin kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në një sondazh të AP-NORC të realizuar në qershor, Mamdani rezultoi me mbështetje më të lartë mes të rriturve hebrenj se sa ish-presidenti Trump (38%) dhe politikani më i shquar hebre në SHBA, guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro (41%).

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, vetëm 26% e hebrenjve të Nju Jorkut votuan për Mamdanin, i cili arriti të marrë 50.8% të votave në total. Në muajin maj, kryetari i bashkisë përmbushi premtimin e tij elektoral për të mos marrë pjesë në Paradën vjetore të Ditës së Izraelit në Nju Jork, duke e përshkruar vazhdimisht fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza si gjenocid.

Mamdani është shprehur se do të zbatojë urdhër-arrestin për Netanyahun, të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në nëntor të vitit 2024, nëse kryeministri izraelit viziton Nju Jorkun. Kjo mund të vihet në provë në shtator, pasi Netanyahu ka deklaruar se planifikon të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila zhvillohet në këtë qytet.

Në sondazhin me 3,040 amerikanë, përfshirë 1,022 hebrenj, 31% u pajtuan me deklaratën se “veprimet e Izraelit në luftën në Gaza përbëjnë gjenocid”, ndërsa thuajse gjysma u shprehën se nuk kishin një qëndrim. Mes hebrenjve amerikanë, përqindja e atyre që besojnë se ka ndodhur një gjenocid është e ngjashme (30%), por gati gjysma (49%) mendojnë se diçka e tillë nuk ka ndodhur. Një shumicë dërrmuese e hebrenjve amerikanë (73%) deklaruan gjithashtu se përgjigja e menjëhershme ushtarake e Izraelit pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ishte e justifikuar, krahasuar me vetëm 43% të popullsisë së gjerë amerikane.

Këto gjetje sugjerojnë se mbështetja amerikane për Izraelin është në rënie të ndjeshme – përfshirë këtu edhe komunitetin hebre – gati tre vjet pas fillimit të ofensivës gjithëpërfshirëse izraelite në Gaza, pas sulmit të Hamasit.

Kur u pyetën nëse mbështesin krijimin e një shteti palestinez që përfshin Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Kudsin Lindor, hebrenjtë amerikanë u ndanë thuajse në mënyrë të barabartë: 33% pro, 36% kundër dhe 30% që nuk mbajnë asnjë qëndrim. Ndërkohë, 43% e hebrenjve amerikanë u shprehën se SHBA-ja nuk po ofron mbështetje të mjaftueshme për palestinezët, krahasuar me 28% që mendojnë se izraelitët kanë nevojë për më shumë mbështetje. Gjithashtu, 60% e hebrenjve vlerësojnë se veprimet ushtarake të SHBA-së në Iran kanë shkuar përtej limitit. /Tesheshi.com/

 

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull