Deputetja e koalicionit VLEN, Feride Haxhiu, denoncon ashpër lidhjet e Bashkimit Demokratik për Integrim me rrjetin e kumarit online, të cilin ajo e cilëson si një nga burimet më të errëta të pasurimit të kësaj partie gjatë dekadave të fundit.
Sipas saj, mbyllja graduale e faqeve të bixhozit po shkakton panik pikërisht te ata që ndërtuan dhe mbrojtën këtë industri kriminale. “BDI-ja, zëdhënësja e mafias së kumarit, po përdridhet sepse po u ikën nga duart një nga rrjetet më fitimprurëse të krimit,” ka shkruar Haxhiu.
Ajo e identifikon Artan Grubin si figurën kyçe që ka qëndruar në krye të këtij rrjeti: “Ish-zëvendëskryeministri, krahu i djathtë i Ali Ahmetit, mastermind-i i kumarit, sot është i arratisur nga drejtësia dhe i përndjekur për korrupsion, lidhje me mafian e bixhozit dhe kapje të gjyqësorit.”
Për Haxhiun, është e papranueshme që zyrtarët e BDI-së vazhdojnë të justifikohen dhe të krekosen, ndërsa shqiptarët kanë vuajtur pasojat e një sistemi të bazuar në krim.
“Mos harroni: koha e Grubit ka përfunduar. Krimi nuk do të fshihet më pas ‘kauzave kombëtare’. Zëri i popullit është më i fortë se fjalët e një bande të dehur nga pushteti për mbi 20 vjet,” përmbyll ajo.