Drejtori i Inspektoratit për Vetëqeverisje Lokale, Haqim Ramadani, ka ndarë një status në rrjetet sociale ku ka theksuar se efikasiteti i qeverisë VLEN nuk matet me fjalë boshe, por me projekte konkrete. Ai përmendi se që nga ardhja e kësaj qeverie, edhe kryetarët e komunave nga radhët e opozitës janë shprehur se, sikur kjo qeveri të kishte ardhur më herët, puna do të dukej shumë më ndryshe.
Sipas Ramadanit, çdo projekt që realizohet sot është i financuar nga qeveria, duke përfshirë projekte nga infrastruktura, si rrugët, shkollat, çerdhja, dhe investimet kapitale. Ai theksoi se kjo nuk është thjesht një qeveri, por një motor që ka nisur zhvillimin e plotë të vendit.
“Pa këtë qeveri, asnjë projekt nuk do të ishte realitet – as asfalt, as sallë sporti, as zhvillim. Kjo nuk është vetëm një qeveri, është turbo zhvillimi,” përfundoi ai në postimin e tij, i cili është shoqëruar me një foto së bashku me Zv.kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
Ky mesazh i Ramdanit pasqyron angazhimin e qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbështetje të vazhdueshme për projekte që ndihmojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve.