Një prej projekteve më të rëndësishme për banorët e fshatit Çellopek në Pollog po bëhet realitet. Përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Haqim Ramadani, ka njoftuar se ndërtimi i çerdhes së parë për fëmijë në këtë fshat do të nisë shumë shpejt, pas dekadash të tëra neglizhence institucionale.
“30 vite pritje, 30 vite shpresë – VLEN e bën realitet për më pak se një vit qeverisje,” ka shkruar Ramadani në një status publik, duke theksuar se me përkushtim dhe bashkëpunim me ministrin Fatmir Limani, po realizohet një ëndërr e kahershme e shumë brezave.
Çellopeku, një ndër fshatrat më të mëdhenj në rajonin e Pollogut, për dekada nuk pati as plan, as vullnet për ndërtimin e një institucioni të tillë.
Sipas Ramadanit, ky neglizhim po merr fund me ardhjen e VLEN-it në qeverisje.
“Çerdhja nuk është luks, është nevojë e kohës, për çdo familje që punon dhe për çdo fëmijë që meriton kujdes dhe mundësi të barabarta,” theksoi ai.
Pas dhënies së lejes ndërtimore nga Komuna e Bërvenicës, pritet të hapet procedura e furnizimit publik, dhe menjëherë më pas të nisin punimet në terren.
Ramadani përfundoi duke theksuar parimin udhëheqës të VLEN-it: “Nuk premton, por vepron”, duke shtuar se ky është vetëm një shembull se “ku ka vullnet, ka rrugë”.