Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani sot në Strugë u prit nga homologu i tij maqedonas, Timço Mucunski, shkruan TV21. Të dy ministrat morën pjesë në hapjen zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Strugë. Paraprakisht, të dy ministrat kishin takim tet-a-tet në Ohër dhe mëngjes të përbashkët pune.
“Shqipëria është fqinji ynë, partner rajonal në NATO dhe aleat. Hapja e kësaj Konsullate është edhe një hallkë me vlerë në fotografinë e pasur të mozaikut në marrëdhëniet të shkëlqyera për të cilat kujdesemi tash e një kohë të gjatë. Rruga e bashkëpunimit dhe dialogut dhe mbështetja e ndërsjellë është mënyra e vetme dhe më e mirë për përparimin e të gjithë rajonit”, tha Mucunski.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë ndërtuar mbi një themel të fortë miqësie dhe bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. Ne vlerësojmë lartë progresin e bërë ndër vite dhe mbetemi të përkushtuar për ta çuar edhe më tej këtë marrëdhënie, në të gjitha nivelet. Hapja e kësaj Konsullate që do të shtrihet përtej kufijve të këtij qyteti, duke përfshirë një zonë shumë të madhe, është një hap i natyrshëm drejt rritjes së qasjes, shërbimit dhe ndërlidhjes së komuniteteve shqiptare me shtetin amë”, tha mes tjerash Hasani./tv21.tv