Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka lënë të kuptohet se Vjosa Osmani nuk është kandidatja e tyre për president, por edhe partnerët e saj në Guxo, e cila është themeluar si iniciativë nga vetë Osmani, janë të ndarë në dysh sa i përket përkrahjes për një mandat tjetër për të në krye të shtetit.
Osmani ka shprehur ambicien edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, por nuk dihet nëse do ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t’u rizgjedhur.
Gazeta online Reporteri.net, merr vesh që pikërisht për këtë çështje Guxo ka mbledhur dje anëtarësinë. Siç merr vesh Reporteri.net, bashkëkryetarja e partisë, Donika Gërvalla ka kërkuar nga deputetët dhe anëtarët e Guxo të mos deklarohen rreth çështjes së presidentit.
Presioni ka ardhur pasi që deputeti i Guxo, Haxhi Avdyli një ditë më herët doli në përkrahje të Osmanit edhe për një mandat në krye të shtetit.
Mirëpo, merret vesh se Gërvalla tashmë qartazi kundërshton vazhdimin e mandatit të Vjosa Osmanit. Në një linjë me të është edhe ministri i Gërvallës, Blerim Gashani.
Ndërkohë, që ndryshe mendon bashkëkryetari tjetër i partisë, Faton Peci. Sipas burimeve, Peci është i interesuar që partia e ty ta përkrahë Osmanin sërish.
Gjatë kësaj jave, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një seri takimesh me liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Të hënën, Albin Kurti, ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e një ditë më herët edhe atë të PDK-së, Bedri Hamza.
Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.
Kurti tha se do të përpiqen maksimalisht që t’i evitojnë zgjedhjet e reja.
Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.

