Gjykata reagon për protestën e paralajmëruar për rastin e Faton Lurit: Aktgjykimi ndryshohet nëpërmjet apelimit e jo me protesta

2 Min. Leximi

Gjykata penale e Shkupit ka reaguar zyrtarisht pas paralajmërimit për protesta në lidhje me vendimin e dhënë për një aksident trafiku me pasoja tragjike, ku Faton Luri u dënua me 11 vjet burg për tragjedinë në komunikacion që ndodhi më 1 korrik 2025 në shtegun për këmbësorë në bregun e lumit Vardar në Shkup, transmeton Zyrtare.

Nga gjykata theksojnë se e respektojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por nënvizojnë se vendimet gjyqësore nuk mund të ndryshohen përmes presionit publik.

Gjykata sqaroi se dënimi është vendosur mbi bazën e një mekanizmi ligjor – pranimin e fajit nga i akuzuari. Sipas komunikatës, pranimi vullnetar i fajit, bërë para mbrojtësit të tij ligjor, ndikoi në mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe në përcaktimin e dënimit, në përputhje me Kodin Penal.

Gjykata theksoi se pavarësia e gjyqësorit duhet mbajtur dhe vendimet nuk duhet të ndikohen nga protesta apo presionet e jashtme: “Gjykata vendos vetëm në bazë të provave dhe normave ligjore. Shprehja e pakënaqësisë përmes tubimeve është e drejtë legjitime, por çdo përpjekje për presion nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e pavarur gjyqësore.”

Gjykata gjithashtu këshilloi palët e pakënaqura të përdorin rrugët ligjore, siç është ankimi në Gjykatën e Apelit, në vend që të kërkojnë ndryshime përmes protestave.

Një apel për sjellje dinjitoze dhe paqësore në tubime u dërgua për të gjithë pjesëmarrësit në protestë./Zyrtare.net/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull