Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, bën të ditur se Gjykata Themelore në Tetovë ka vendosur në favor të kërkesës së tij lidhur me çështjet statutare të partisë, duke refuzuar njëkohësisht pretendimet e Ziadin Selës.
Sipas njoftimit, gjykata ka miratuar regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e partisë të propozuara nga Taravari, ndërsa ka shfuqizuar Statutin e miratuar në Kongresin e III-të të Jashtëzakonshëm të 24 dhjetorit 2022.
Në vend të tij, në Regjistrin Gjyqësor është regjistruar Statuti i Kongresit të II-të, i mbajtur më 27 mars 2022, në përputhje me vendimet e Kongresit të IV-t të Jashtëzakonshëm të 16 shkurtit 2024 në Shkup.
Po ashtu, gjykata ka hedhur poshtë si të pabazuara kërkesat e Selës për ndryshimin e kryetarit të partisë dhe për ndërhyrje në statut, thuhet në reagimin e këtij krahu të ASH-së.

