Bashkëpunimi ushtarak mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë po hyn në një fazë të re pas vizitës së shefit të Forcave të Armatosura gjermane, gjeneralit Karsten Brojer, në Shkup. Të dyja palët rikonfirmuan partneritetin strategjik në kuadër të NATO-s, me fokus në sigurinë, modernizimin e Armatës dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajori Sashko Lafçiski, theksoi se partneriteti me Gjermaninë ka sjellë rezultate konkrete përmes trajnimeve, shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të kapaciteteve ushtarake.
“Një numër i madh i pjesëtarëve tanë trajnohen dhe përsosin aftësitë e tyre në qendrat tuaja të njohura arsimore, duke fituar njohuri dhe shkathtësi që i përcjellin në mënyrë aktive në Ushtrinë tonë. Ne e vlerësojmë veçanërisht profesionalizmin dhe standardet që ata i sjellin në njësitë tona ushtarake, si udhëheqës në strukturat komanduese të Ushtrisë”, theksoi Sashko Lafçiski – shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës – RMV.
Gjenerali Karsten Brojer theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vazhdojë të forcohet përmes zhvillimit të kapaciteteve ushtarake, shkëmbimit të përvojave dhe projekteve konkrete në fushën e mbrojtjes.
“Maqedonia e Veriut luan një rol të rëndësishëm si faktor stabiliteti. Ajo vepron si një partnere e qëndrueshme e NATO-s që forcon rajonin, Aleancën dhe sigurinë evropiane. Edhe Gjermania e vlerëson shumë këtë rol. Prandaj dialogu dhe bashkëpunimi ynë janë kaq të rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë duhet të mbetet praktik dhe me rëndësi ushtarake. Siç e përmendët edhe ju, së fundmi u dakorduam për shkëmbimin e pajisjeve ushtarake ndërmjet forcave tona të armatosura”, deklaroi Karsten Brojer – Shefi i Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
Gjenerali Brojer u prit edhe nga Ministri i mbrojtjes Vllado Misajllovski, ndërsa do të zhvillojë takime edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Vizita e tij konfirmon partneritetin e ngushtë mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.

