Gashi pret delegacionin e TIKA-s në Kuvend: Vlerësohen rezultatet konkrete të bashkëpunimit

2 Min. Leximi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim zyrtar me Kryetarin e Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), me të cilin ka riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe gatishmërinë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit institucional.

Në njoftimin e tij, Gashi theksoi rëndësinë e partneritetit afatgjatë mes institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe TIKA-s.

“Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim zyrtar me Kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), gjatë të cilit riafirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe diskutuam për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit institucional”, deklaroi ai.

Gashi shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e kësaj agjencie gjatë dy dekadave të fundit në vend.

“Shpreha mirënjohjen time të veçantë për veprimtarinë 20-vjeçare të TIKA-s në Maqedoninë e Veriut, ku janë realizuar mbi 1.300 projekte në fusha jetike si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura”, theksoi kryeparlamentari.

Sipas tij, takimi u përmbyll me një zotim të përbashkët për vazhdimin e këtij partneriteti.

“Takimin e përmbyllëm me zotimin e përbashkët për vazhdimësinë e këtij partneriteti të suksesshëm”, përfundoi Gashi.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi se bashkëpunimi me TIKA-n ka dhënë rezultate konkrete dhe do të mbetet i rëndësishëm për zhvillimin institucional dhe social të vendit edhe në të ardhmen.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull