Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, pret që seanca të mbahet në gjysmën e parë të marsit ku deputetët do të debatojnë dhe vendosin për interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të zgjedhur nga Kuvendi. Ai theksoi se tashmë kanë marrë përgjigjet nga të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor për të cilët shumica në pushtet ka nisur procedurën e interpelancës.
“Mund t’ju informoj se sipas afateve të përcaktuara në Rregullore, interpelancat u janë përcjellë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Po ashtu brenda afateve, si Kuvend kemi marrë përgjigjet nga të pesë anëtarët. Ato përgjigje do t’ua dorëzojmë të gjithë deputetëve këto ditë dhe shpresoj që gjatë muajit mars, shpresoj në javën e parë dhe të dytë, do të thërrasim seancë të re në të cilën do të shqyrtohen interpelancat”, tha kryetari i Kuvendit.
Interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor janë dorëzuar më 7 shkurt nga grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, “VLEN-it” dhe ZNAM-it, pasi më herët në fund të vitit të kaluar Kuvendi nuk e miratoi raportin për punën e Këshillit për vitin 2023.
Çaçarova-Ilievska në një deklaratë për media të mërkurën tha se postin e anëtarit të Këshillit Gjyqësor e ka kryer me ndërgjegje dhe ndershmëri dhe se nuk ndjen përgjegjësi as morale as profesionale për të dhënë dorëheqje.
Në interpelancë, siç vlerësoi ajo, nuk ishte individualizuar se cilat veprime dhe cilat procedura si anëtare individuale e Këshillit Gjyqësor i ka ndërmarrë nga pakujdesia dhe në mënyrë të kundërligjshme dhe cilat mund t’i varen si barrë për shkak të punës së Këshillit Gjyqësor. Sipas saj, pretendimet e interpelancës i referohen më shumë interpelancës së Këshillit Gjyqësor si organ kolektiv, sesa anëtarëve të tij individualë, pikërisht, sipas saj, për mungesën e elementit të individualizimit.
Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, tre prej të cilëve i zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe me shumicë Badenter, dy anëtarë i propozon presidenti i shtetit, kurse zgjedhjen e bën legjislativi. Njëri nga këta dy kandidatë duhet të jetë pjesëtar i komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Tetë anëtarët e tjerë zgjedhin gjyqtarët nga mesi i tyre. Anëtarë të Këshillit sipas detyrës zyrtare janë Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Ministri i Drejtësisë, por ata mund të marrin pjesë dhe të diskutojnë vetëm në seanca, por nuk kanë të drejtë vote, përkatësisht të marrin pjesë në vendimmarrje.
Kuvendi, sipas njoftimeve, do të diskutojë për anëtarët që i zgjedh, e nga përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor, ata janë Selim Ademi, Pavlina Cërvenkovski, Vesna Dameva, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova-Ilievska.
Shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, VMRO-DPMNE në pushtet, e ka paralajmëruar që para zgjedhjeve, ndërsa me retorikë identike ka vazhduar edhe pas formimit të Qeverisë.(Portalb.mk)