Kryetari aktual i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka reaguar ashpër ndaj kandidatit të BDI-së për këtë komunë, Bujar Osmani, i cili së fundmi ka nisur fushatën për zgjedhjet e 19 tetorit.
Ganiu përmes një statusi të gjatë në rrjetin e tij social tha se Osmani po e zhvillon fushatën “në mënyrë klandestine” dhe me “video klipe të zbrazëta” që, sipas tij, tregojnë se ai është “një i huaj për Çairin dhe një karrierist i vetmuar”.
Shkrimi i plotë
Kandidati i Ali Ahmetit për Çairin – Bujar Osmani, e ka nisur fushatën për zgjedhjet e 19 tetorit në formë klandestine dhe me video klipe të zbrazëta në të cilat dominon heshtja.
Këto shfaqje tregojnë se Bujari është një i huaj për Çairin, se ai është një karrierist i vetmuar i cili udhëhiqet ekskluzivisht nga maksima ‘qëllimi i arsyeton mjetet’, dhe i cili për qëllime të realizimit të ambicies personale është në gjendje të shkelë edhe mbi njerëz.
E Komuna e Çairit e rikujton Bujarin e vetmuar se:
Derisa ti ndërtoje karrierën personale dhe fotografoheshe me zyrtarë botërorë, Çairi mbijetonte i ngujuar në karantinën politike në të cilën e izoloi partia që ti përfaqëson;
Derisa partia jote krenohej me ‘fuqi politike në ekzekutiv’, shefi jot i arratisur nga drejtësia Artan Grubi, ishte mobilizuar që të mos lejojë asnjë projekt, asnjë donacion, asnjë ndihmë e shtetit të destinohej për Çairin;
Derisa ti luaje rolin e faktorit për zgjidhjen e çështjes së emrit, Çairasit pyesnin se çfarë të mire përfituan ata dhe komuna e tyre nga fakti se dy njerëzit më të fuqishëm në Qeveri ishin pikërisht nga Çairi;
Derisa ti sot bën sikurse ke rënë nga Marsi dhe je një figurë tërësisht e re dhe e pastër në politikë, qytetarët nuk i harrojnë kurrë fushatat e koordinuara mirë me Kryetaren e Qytetit për ta shfaqur Çairin si ‘Kandahar’ (po citoj liderin tënd);
Derisa ti ndërtoje imazhin e politikanit të ndershëm duke bërë foto me sanduiçe nëpër aeroporte për të na bindur se sa shumë je duke punuar për popullin dhe shtetin, administrata e Çairit punonte me orar të plotë për të zgjidhur hallet e qytetarëve;
Derisa ti bëje sikurse punon intensivisht për shtetin, Komuna e Çairit vërtdtë jetonte dhe vërtetë punonte nën sabotazhë dhe obstruksione politike që organizoheshin nga patroni jot Artan Grubi, vetëm që të krijohej përshtypja se Komuna Çair është e pasuksesshme.
Bujar, mos u brengos për tabelat me detyra të Komunës Çair. Sepse administrata e cila vjen në punë me orar të rregullt i din dhe i zgjidh me përgjegjësi detyrat e saj. Ndërsa në Komunën tonë ekziston Tabela e turpit të Qeverisë në të cilën është regjistruar gjithçka që ju keni bërë kundër Çairit për vite me rradhë. Këtë tabelë do ta vendosim përpara Komunës që herën tjetër kur të vish për të bërë video, të edukohesh për keqbërjen dhe sabotimin e projekteve që në mënyrë sistematike e keni ushtruar kundër Komunës Çair!
Në fund, sa herë që ti dhe bashkëpunëtorët e tu shfaqeni përpara Komunës Çair, stafit tim i vijnë ndërmend skenat kur para një viti patroni jot Artan Grubi me shokë erdhi të festonte ‘fitoren’ tënde në zgjedhje me valixhe dhe muzikë! Ka video plot nga ky mega manifestim valixhesh. Prandaj, mbuloji veshët Bujar dhe turpërohu për ato që keni bërë dhe mos gënje popullin me truqe marketingu!
Komuna Çair ka nevojë për menaxhera të suksesshëm, jo për karrieristë të dalldisur që luajnë futboll nëpër zyrat që paguhen me paratë e popullit. Prandaj Komuna Çair nuk ka vota për politikanë si Bujar Osmani.