Fjalimi i zjarrtë i JD Vance, të premten në Konferencën e Sigurisë në Munih – pjesë e debutimit të tij disa ditor në skenën botërore si zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – ka dominuar diskursin e nivelit të lartë të liderëve evropianë dhe elitave të sigurisë kombëtare në SHBA.
“Askush nuk po flet për asgjë tjetër”, ka thënë një zyrtar i lartë evropian.
Vancei e sulmoi spektrin politik evropian, paralajmëroi Evropën për rreziqet e migracionit dhe i krahasoi liderët evropianë me komisarët sovjetikë për shkak të kritikave të tyre ndaj liderëve të ekstremit të djathtë.
“Kërcënimi për të cilin shqetësohem më shumë përballë Evropës nuk është Rusia, as Kina, e as nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm. Ajo që shqetësohem është për kërcënimin nga brenda, tërheqja e Evropës nga disa prej vlerave të saj më themelore”, ka thënë Vance në fjalimin e tij.
Ai madje i ka krahasuar demokracitë evropiane me sistemet autoritare të shekullit të kaluar. “Nuk mund t’i detyrosh njerëzit se çfarë të mendojnë, çfarë të ndjejnë apo çfarë të besojnë… Fatkeqësisht, kur shikoj Evropën sot, ndonjëherë nuk është aq e qartë se çfarë ndodhi me disa nga fituesit e Luftës së Ftohtë”, ka thënë Vance.
Gjuha e përdorur nga Vance ka shpërndarë frikë midis elitave të sigurisë në Evropë, me drojën se mos SHBA-ja po largohet nga gjendja ekzistuese transatlantike me shpejtësi, dhe se ata i kanë duart e lidhura për ta ndaluar këtë gjë.
“Kjo është një Amerikë e re dhe është e qartë se ajo Amerika e vjetër që Evropa është mësuar me të për dekada është zhdukur”, ka thënë një ish-diplomat i lartë amerikan. “Kjo mund të jetë thirrja që në të vërtetë e zgjon Evropën”.
POLITICO ka biseduar me 14 pjesëmarrës të konferencës në kushte të anonimitetit, për të diskutuar në lidhje me reagimin e tyre karshi fjalimit të Vanceit. Shumë prej tyre patën reagime të përziera.
Për brenda sallës të mbushur përtej kapacitetit – pjesëmarrësit qeshën në mënyrë ironike kur Vance përmendi “vlerat e përbashkëta”. Jo një herë, por dy herë, njerëzit në sallë thanë se “ishte një gjë e çuditshme” duke cituar reagimin e famshëm të George W. Bushit, gjatë fjalimit të inaugurimit të Trumpit më 2017.
Të njëjtat reagime i patën edhe diplomatët e karrierës. “E gjithë kjo situatë është e çmendur dhe shqetësuese”, ka thënë një zyrtar gjerman.
“‘Isha i shokuar”, ka deklaruar një ish-punonjës i Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e Partisë Demokratike që po merrte pjesë në konferencë. “Nuk është Rusia që po ndikon në zgjedhjet tuaja, por ju? Ai po e fajësonte viktimën”.
“Çfarë ishte ajo? Unë po mbaja gojën hapur në një dhomë plot njerëz me gojën e hapur. Ishte gjë e keqe”, ka thënë ai.
Kur u pyet nga gazetarët për fjalimin e Vanceit, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se “fjalimi ishte shumë i mirë, me të vërtetë i shkëlqyeshëm”.
Zyra e Vanceit nuk u përgjigj ndaj kërkesave për komente shtesë.
Fjalimi me cak amerikanët
Ekspertë dhe analistë politik kanë vlerësuar se audienca e vërtetë e Vanceit nuk ishte në Munih, por më tepër baza e MAGA-s (votuesit e presidentit Trump) në shtëpi – dhe grupe të tjera populiste në Evropë, të uritura për të rrëzuar partitë tradicionale nga pushteti në zgjedhjet e ardhshme.
Brenda për brenda audiencës së shokuar nga fjalimi i Vanceit, kishte edhe disa zyrtarë evropianë që po i mirëprisnin krahëhapur goditjet e forta që ithtarët e Trumpit i patën për kontinentin e vjetër.
Ata besojnë se goditjet ndaj sistemit ekzistues, sikurse fjalimi i Vanceit dhe i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, sugjerojnë se SHBA-ja mund të zvogëlojë praninë e saj ushtarake në Evropë, duke i shtyrë përfundimisht vendet evropiane të kuptojnë se nuk mund të varen nga Shtetet e Bashkuara në mënyrën e njëjtë siç ka ndodhur për dekada me radhë.
Megjithëse mandati i parë i Trumpit u pa si diçka aksidentale në shumë kryeqytete evropiane, mandati i dytë ka shfaqur indikacione se toka nën këmbët e Evropës ka filluar të dridhet.
Sipas shumë zyrtarëve të Evropës Lindore që ndodhen në kufi me Rusinë, përgjigja e vetme janë hapat e guximshëm në investimet ushtarake pas shumë vitesh të kaluara vetëm me fjalë të mëdha dhe veprime minimale.
“Sa i nervozuar jam unë me SHBA-në tani? Sinqerisht, unë jam i shqetësuar për Evropën”, ka thënë ish-ministri i punëve të jashtme të Lituanisë Gabrielius Landsbergis. “Ne nuk mund të qëndrojmë të fokusuar se çka po ndodh në Amerikë, apo se çfarë presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë për të thënë. Ne jemi tre hapa mbrapa tërë kohën. Pyetja është se çfarë po bëjmë për këtë?”, ka shtuar ai.
Një zyrtar tjetër nga Evropa Lindore ka shprehur mbështetje për fjalimin e Vanceit, por ka thënë se “ai duhej të kishte qenë më i qartë se Rusia nuk është një model për t’u ndjekur”.
Shpenzoni në mbrojtje
Ligjvënësit republikanë ishin të drejtpërdrejtë mbi nevojën e Evropës për të rritur shpenzimet në mbrojtje.
“Shpresojmë se evropianët do ta kuptojnë që ndihma falas amerikane ka përfunduar një herë e mirë”, ka thënë senatori republikan nga Teksasi, John Cornyn pas fjalimit të Vanceit. “Ata e kishin shfrytëzuar këtë gjë tepër mirë, dhe ato ditë tanimë kanë përfunduar”.
Fjalimi i Vanceit theksoi gjithashtu se si zyrtarët evropianë nuk mund të mbulojnë boshllëkun me Washingtonin e Trumpit, ndonëse ata përpiqen të balancojnë ruajtjen e aleancës së NATO-s duke manovruar me përpjekjet e presidentit për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Zyrtarë të lartë evropianë të cilët mund të kishin ardhur në fundjavë të prirë për qasje më të kujdesshme dhe diplomatike me amerikanët, hoqën dorë nga qasja e tyre pas fjalimit të Vanceit. “Nëse e kam kuptuar saktë, ai po krahason pjesë të Evropës me regjime autoritare. Kjo nuk është e pranueshme”, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Të tjerët mendonin se supozimet e Vanceit ishin krejtësisht të gabuara.
“Ekzistonte një hipotezë në fjalim që zërat e evropianëve dhe të demokracive nuk janë të lejuar të flasin dhe nuk janë të përfaqësuar”, ka deklaruar ish-ambasadori i SHBA-së në Rusi, Michael McFaul, për POLITICO-n pas fjalimit të Vanceit. “Njerëzit që ndajnë pikëpamjet e njëjta me të në Evropë janë të përfaqësuar në të gjitha llojet e parlamenteve në të gjithë kontinentin. Ata po garojnë në zgjedhje në këtë vend pas nëntë ditësh”, ka shtuar ai.