Shqipëria e ka fituar 1:0 miqësoren me Gjibraltarin.
Skip AdAdvertisement
Ndeshja në Gjibraltar u zhvillua të enjten mbrëma, ndërsa Shqipëria fitoi pa shumë shkëlqim. Jasir Asani e shënoi golin e fitores në minutën e 69-të. Ai realizoi nga penalltia, që u dha për lojë me dorë në zonë nga kapiteni i Gjibraltarit.
Shqipëria ishte favorite e madhe ndaj Gjibraltarit.
Në ranglistën e FIFA-s, Shqipëria është e 68-ta, ndërsa Gjibraltari është në vendin e 199-të.
Po ashtu Gjibraltari ishte në seri prej katër humbjeve rresht.
Në pjesën e parë të përzgjedhurit e Sylvinhos shfaqën fare pak. Medon Berisha bëri dy goditje nga distanca, njëra prej të cilave përfundoi në traversë pas devijimit.
Braziliani Sylvinho bëri zëvendësime të shumta në pjesën e dytë dhe loja e Shqipërisë ishte më aktive. Cristian Shpendi, që ishte njëri prej debutuesve, ishte goxha aktiv në sulm.
Ai rrezikoi disa herë, por pa konkretizuar. Një rast e lëshoi edhe Arbër Hoxha.
Shpresohet që ndeshja në Gjibraltar do t’u shërbejë kuqezinjve për ndeshjen kualifikuese ndaj Letonisë, që zhvillohet të martën nga ora 20:45 në Tiranë.
Sylvinho ndaj Gjibraltarit ka luajtur me formacion të kombinuar, ndërsa me zëvendësimet e shumta ua ka dhënë rastin thuajse të gjithë lojtarëve. Disa prej tyre shfrytëzuan hapësirën, ndërsa për disa të tjerë u dëshmua se duhet ende kohë që të jenë të rëndësishëm te Shqipëria.