Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Dibrës, Fisnik Mela, ka reaguar ndaj premtimeve të kundërkandidatit të tij, duke i cilësuar ato si “iluzione dhe mashtrime të hapura ndaj qytetarëve”.
Në një postim në rrjete sociale, Mela ka thënë se në javët e fundit janë dëgjuar premtime të shumta për punësime në institucione lokale dhe qendrore, shpesh për të njëjtat vende pune, duke i quajtur këto si përpjekje për të manipuluar votuesit.
“Kemi dëgjuar premtime të shpërndara me shumicë për të njëjtin vend pune që u është premtuar dhjetëra personave, e deri tek pozitat drejtuese në institucionet arsimore, çerdhe, zjarrfikës, NKP ‘Standard’ dhe administratë komunale”, shkruan Mela.
Ai theksoi se premtimet për punësime në institucione që nuk janë nën kompetencën e komunës – si ministritë, doganat apo fondet shtetërore – janë “mashtrim i pastër ndaj qytetarëve”.
“Kandidati që premton vende pune në ministri apo institucione qendrore, ose nuk e njeh ndarjen mes pushtetit lokal dhe qendror, ose përpiqet qëllimisht të mashtrojë votuesin”, theksoi ai.
Në fund, Mela u bëri thirrje qytetarëve të Dibrës të mos bien pre e politikës së premtimeve boshe:
“Dibra meriton seriozitet dhe të vërtetën, jo tregti me shpresën e njerëzve. Kjo nuk është politikë, por abuzim me shpresën e qytetarëve”.

 
		 
		 
		 
		 
		 
		 
		