Në orën 16:00 në “Wembley” Manchester United dhe Manchester City do të diskutojnë trofeun më të vjetër të historisë së futbollit, në finalen e FA Cup, në edicion numër 143 të saj.
Një finale që përsëritet ashtu si sezonin e kaluar, teksa fituesit e edicionit te kaluar dhe njëkohësisht kampionët e Anglisë, Manchester City, do të zbresin në këtë përballje me motivimin e duhur, për vetë faktin se po kalojnë një periudhë shumë pozitive dhe mbyllja e sezonit me këtë trofe do të ishte vërtet spektakolare.
Skuadra e Pep Guardiola-s vjen pas 7 fitoreve radhazi, në një seri ku ka pësuar vetëm dy gola.
Në krahun tjetër, Manchester United luan shumë në këtë finale, pasi “Djajtë e Kuq” e mbyllën kampionatin në vendin e tetë dhe në këtë sfidë luajnë edhe Europën. Jo vetëm kaq, pasi Erik Ten Hag rrezikon edhe shkarkimin në rast dështimi, teksa United vjen këtu pas dy fitoreve radhazi në Premier League, por të vetmet në pesë ndeshjet e fundit.
Kjo do të jetë përballja e tretë sezonale, teksa dy të parat i ka fituar City me një golavarazh 6-1, ndërsa do të jetë përballja numër 193 në histori, e 11 në FA Cup. Bilanci i përgjithshëm flet për United që kryeson me 78 fitore kundrejt 61 të City-t, teksa 53 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Manchester United kërkon trofeun e 13-të në histori, ndërsa në krahun tjetër, City kërkon të festojë suksesin e 8 në FA Cup.