Fillon ndërtimi i objektit të ri të komunës së Tetovës, do t’i shërbejë administratës komunale

2 Min. Leximi

Pranë ndërtesës së Komuna e Tetovës këtë javë ka nisur ndërtimi i një objekti të ri për nevojat e administratës komunale.

Bëhet fjalë për një projekt për të cilin komuna pritet të paguajë rreth 1.4 milionë euro.

Për të siguruar hapësira shtesë për administratën, kryetari i komunës Bilall Kasami fillimisht kishte paralajmëruar se objekti mund të ndërtohej pa shpenzime direkte nga buxheti, përmes një kompensimi me tokë për kompaninë ndërtimore.
“Fillimisht ideja ishte të realizohej përmes partneritetit publiko-privat, ku komuna do të jepte tokë në një lokacion tjetër dhe do të ndërtohej objekti i komunës. Por rezultoi se kjo nuk është e mundur sipas ligjit, pasi nuk lejohet një kompensim i tillë tokë për objekt. Prandaj vendosëm të shkojmë me tender dhe projekti tani realizohet me mjete nga buxheti i komunës”, deklaroi Kasami.

Ndërtimi i objektit të ri vjen në një kohë kur përmbaruesit vazhdojnë të mbledhin borxhe milionëshe nga buxheti i komunës.

“Situata reale në Komunën e Tetovës është se kemi një borxh të trashëguar që po e shlyejmë gradualisht dhe shpresojmë që gjatë vitit 2026 të dalim nga përmbarimet dhe të mund të operojmë në mënyrë autonome me buxhetin. Edhe në vitin 2025 një pjesë shumë e madhe e buxhetit u realizua përmes përmbaruesve”, tha ai.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull