Investimi i kompanisë “Shahterm”, vetëm në fazën e parë kap vlerën prej 25 milionë euro me 200 vende të reja pune. Kryeministri Hristijan Mickoski sqaroi se plani është që investimi të arrijë 50 milionë euro dhe numri i të punësuarve të jetë mbi 500.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ky është projekt që jo vetëm e zhvillon ekonominë, por edhe e konfirmon stabilitetin dhe përparimin e vendit tonë, duke kontribuar në forcimin e industrisë dhe eksportit maqedonas. Treguesit e fundit ekonomikë janë inkurajues: Prodhimi industrial në mars të vitit 2025 është rritur për 5,2% në nivel vjetor krahasuar me marsin e vitit 2024. Investimet e huaja direkte për vitin 2024 arritën në 1,255 miliardë euro, duke e bërë Maqedoninë vendin me numrin më të madh të investimeve të huaja për kokë banori në Evropë”
Mickoski ka thënë se inflacioni në muajin mars është nën 3%, konkretisht 2,7%, ndërsa në prill është 2,6% në nivel vjetor. Sipas tij, pagat rriten nga 9 deri në 10% në vit, që është një shenjë se po luftojnë kundër varfërisë dhe jemi për rritjen e standardit jetësor të qytetarëve.
“Dhe mund të përfundoj se me gjithë këta tregues ekonomikë, Maqedonia është në rrugë të mirë për të qenë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë”, ka deklaruar Mickoski. /SHENJA/