Feti Abazi: Në ndërtimin e autostradës së re, kërkesat tona për ndërlidhjen e fshatrave, do merren parasysh
Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ka realizuar sot një takim me ndërtuesit e Korridorit VIII, kompanisë Bechtel&Enka dhe Ndërmarrjes Publike Rrugët e Maqedonisë. Personalisht, i pari i komunës, ka kërkuar garanca nga palët, që në një pjesë të autostradës së re, që përfshinë një pjesë të fshatrave, të ketë hapësirë dhe qasje për ndërlidhje në autostradë, sipas standardit, por edhe planet e zonave ekonomike të respektohen.
“Sot kemi realizuar një takim me përfaqësuesit e NP Rrugët e Maqedonisë dhe kompaninë realizuese të projektit Bechtel & Enka.
Qëllimi i takimit ishte të njoftohemi drejtpërdrejtë me planet konkrete për realzimin e autostradës.
Në takim u trajtuan çështjet që lidhen me ndërtimin e Korridorit VIII, veçanërisht ato që prekin territorin e komunës sonë.
Gjatë takimit u diskutua për ndërlidhjen e vendbanimeve me rrugët ndihmëse dhe me autostradën, respektimin e planeve të zonave ekonomike ekzistuese si dhe mundësitë për zgjerimin e tyre në të ardhmen. Po ashtu, u theksua nevoja që nënkalimet dhe mbikalimet të realizohen në përputhje me standardet ndërtimore në fuqi” ka shkruar Feti Abazi, në Facebook.
Tutje, ai ka njoftuar se kordinimi institucional mes tre subjekteve, do të vazhdojë.
“Në përfundim, u dakorduam që koordinimi mes të gjitha palëve të jetë i vazhdueshëm dhe që kërkesat e Komunës së Bogovinës të merren parasysh gjatë ekzekutimit të projektit”.

