I ftuar në Click Plus, zëvendëskryeministri Arben Fetai tha se dalja e ASH-së nga qeveria është një agjendë për rikthimin e BDI-së në Qeveri, që siç tha, Arben Taravari është duke gabuar thellësisht, transmeton TV21. Fetai tha se ky plan ka dështuar dhe do të vazhdojë të dështoj, pasi sipas tij, qeveria është stabile, ndërkohë që garantoi se nuk ka zgjedhje parlamentare së bashku me ato lokalet dhe se këto të fundit i fitojnë VLEN dhe VMRO.
“Përpjeka është për rikthimin e BDI-së në qeveri dhe madje mendoj se kryeministri do të flasë në periudhën në vazhdim dhe do të tregojë më saktësisht se çfarë biseda janë zhvilluar për të konfirmuar këtë dyshim mes tij dhe zotëri Taravarit, kryetarit tim në parti i cili e ka ndjekur këtë rrugë të gabuar, i cili është duke gabuar thellësisht duke i shërbyer kësaj agjende për rikthimin e BDI-së në Qeveri, këtë e kam bindje të thellë. Këtë e kam kuptuar në mas të madhe anëtarësia e ASH-së, dikush mund të shtiret se kjo nuk është çështja, por kjo është çështja e vërtetë që është në tavolinë dhe çështja që është diskutuar në takim. Për këtë pjesë nuk po flasë unë se nuk kam qenë i pranishëm në këto takime, besoj se do të ketë prononcime në vijim që do të konfirmojnë që agjenda ka qenë përpjekje për ta rikthyer BDI-në në qeveri. Ky plan ka dështuar dhe do ta shihni se do të dështojë në vazhdimësi. Numrat janë shumë stabil, e ka thënë kryeministri edhe partnerët ndërkombëtar, po e thotë edhe koalicioni VLEN dhe nuk kam mëdyshjen më të vogël se ky koalicion vazhdon deri në zgjedhjet lokale dhe se BDI i humb zgjedhjet lokale. Ka qenë temë a do të ketë zgjedhje të dyfishta, ka kërkesa. unë këtë dilemë ua hjeki sante, nuk ka zgjedhje të dyfishta”, tha Fetai.
