Fetai: Regjistrimi i vitit 2021 ishte jokushtetues, BDI dhe LSDM shkelën Kushtetutën për të ulur numrin e shqiptarëve

4 Min. Leximi

Fetai: Regjistrimi i vitit 2021 ishte jokushtetues, BDI dhe LSDM shkelën Kushtetutën për të ulur numrin e shqiptarëve

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ndarjen e popullsisë në rezidentë dhe jorezidentë, praktikë kjo e përdorur gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2021. Në një konferencë për shtyp, Fetai deklaroi se ky vendim ishte i pritur dhe konfirmon që procesi i regjistrimit është zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për regjistrimin, për shkak të një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të Bashkimit Demokratik për Integrim në bashkëpunim me LSDM-në.

- Advertisement -

Sipas tij, ndarja e popullsisë në kategori jorezidente ishte e paligjshme dhe u arsyetua me pretendimin se një gjë të tillë e kishte kërkuar Eurostati.

“Kjo ishte një gënjeshtër e pastër, sepse Eurostati, përmes përgjigjes ndaj një pyetjeje të gazetarëve, kishte demantuar se kishte kërkuar ndarje të tillë”, u shpreh Fetai. Ai theksoi se regjistrimi si proces ka qenë i jokushtetues dhe antiligjor, dhe se vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon këtë.

Zëvendëskryeministri kujtoi gjithashtu se BDI, në bashkëpunim me Gruevskin, kishte sabotuar edhe regjistrimin e vitit 2011, duke shkaktuar dëm financiar prej 3 milionë eurosh, për të cilin askush nuk ka dhënë ende llogari. Ai shtoi se në vitin 2021, BDI kreu një tjetër sabotim të qëllimshëm, këtë herë në shërbim të patronëve të saj, me synimin për të ulur numrin e shqiptarëve në regjistrim përmes futjes së kategorisë jorezidente, e cila tani është shpallur jokushtetuese.

Fetai ngriti edhe çështjen e përgjegjësisë individuale të zyrtarëve të përfshirë në këtë proces, duke përmendur përfaqësuesin e BDI-së në Entin e Statistikave të asaj kohe, Ilmi Selami (apo me një emër të ngjashëm), i cili kishte nënshkruar vendimin për ndarjen e popullsisë dhe më vonë ishte propozuar nga BDI për post ambasadori. “Ne e kemi ndalur atë propozim që në fillim të qeverisjes sepse një person që ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin nuk mund të shpërblehet me post diplomatik. Presim komente nga penalistët për përgjegjësinë e mundshme penale të tij për këtë shkelje”, theksoi ai.

- Advertisement -

Në vazhdim të fjalës së tij, Fetai ngriti edhe disa shqetësime që lindin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht lidhur me mënyrën se si shpërndahet buxheti i shtetit dhe dotacionet për komunat, të cilat deri më tani janë kalkuluar në bazë të popullsisë së ndarë në rezidentë dhe jorezidentë. Tani që kjo ndarje është shpallur jokushtetuese, ai theksoi se duhet të rishikohen të gjitha modalitetet e shpërndarjes së mjeteve buxhetore në çdo nivel.

Ai përmendi gjithashtu edhe çështjen e përfaqësimit në këshillat komunalë, duke theksuar se ulja e numrit të popullsisë jorezidente në disa komuna, si në Gostivar apo në pjesë të Maqedonisë Lindore, ka ndikuar në numrin e këshilltarëve për zgjedhjet e ardhshme lokale. Fetai theksoi se kjo është e papranueshme dhe se duhet të merret për bazë vetëm popullsia e përgjithshme apo trupi votues i secilës komunë.

“Nuk mund të kemi situata ku një qytetar ka të drejtë të votojë dikë, por nuk ka të drejtë të përfaqësohet në Këshillin Komunal”, përfundoi ai.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull