Zëvendëskryeministri Arben Fetai, është takuar me Amer Kapetanocić nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) në Sarajevë. Ai ka shkruar se kishte kënaqësinë të takohet me Amer Kapetanović, Sekretarin e Përgjithshëm i RCC-së. Siç ka njoftuar Fetai, me Kapetanović, kanë biseduar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, digjitalizimit, Agjendës së Gjelbër dhe qeverisjes së mirë – të gjitha elemente thelbësore për të përshpejtuar integrimin tonë në BE.


“RCC mbetet një mekanizëm unik, ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë si të barabarta, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke krijuar mundësi konkrete për progres të përbashkët. Diskutuam gjithashtu fusha specifike bashkëpunimi, sidomos rreth shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë, si shtylla thelbësore për një rajon më demokratik dhe të zhvilluar”, ka shkruar Fetai.
Në fund zëvendëskryeministri Fetai ka shtuar se bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm një domosdoshmëri, por edhe rruga më e sigurt drejt së ardhmes europiane!