Zëvendëskryeministri dhe njëri nga figurat kyçe të Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj deputetit Halil Snopçe, i cili së fundmi është bashkuar me BDI-në.
Përmes një statusi publik, Fetai e akuzon Snopçen për devijim të plotë nga vlerat për të cilat kishin luftuar bashkë për më shumë se një dekadë, duke thënë se ai tashmë është bërë pjesë e një bashkimi të papranueshëm mes BDI-së dhe Levicës, kësaj të fundit duke ia kujtuar mohimin e kauzave shqiptare. “Azir Aliu dhe unë jemi aty ku kemi qenë gjithmonë: në antipod të BDI-së, në Aleancën për Shqiptarët. Ndërsa ti, Halil, ke përfunduar në prehrin e BDI-së, mes partisë që e luftuam bashkë një dekadë dhe Levicës që mohon gjithçka shqiptare”, ka shkruar Fetai.
Ai kritikon edhe mënyrën e të shprehurit të Snopçes në publik, duke e quajtur cinik dhe të shitur për shkak të sulmeve ndaj ish-kolegëve të tij, përfshirë Azir Aliun, Yllka Nuredinin dhe Mimoza Musën.
Fetai thekson se, ndryshe nga Snopçe që ka “ikur nga kontaktet me Vetëvendosjen dhe autoritetet e Kosovës”, ai vetë vazhdon të jetë në kontakt të rregullt me ta. Ai gjithashtu ironizon “parashikimet” e Snopçes për rënien e qeverisë dhe pyet se si po i ecin kalkulimet për numrin e komunave që do t’ia japë BDI-ja partisë së tij.
“Do ta humbni edhe Gostivarin, Halil. Dhe ti e di këtë. Prandaj e ke humbur edhe kontrollin edhe njerëzillëkun”, përfundon reagimin e tij zëvendëskryeministri.