Zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Arben Fetai, akuzoi sot Bashkimin Demokratik për Integrim për populizëm dhe nacionalizëm të rremë, duke e cilësuar retorikën e saj si një përpjekje për të shmangur llogaridhënien për korrupsionin dhe dështimet gjatë 22 viteve në pushtet.
“Sot po përballemi me një valë të re të populizmit dhe nacionalizmit të rremë nga BDI-ja, një parti që për 22 vjet premtoi barazi dhe përparim, por solli vetëm korrupsion, shtypje dhe stagnim”, tha Fetai.
Ai kritikoi përdorimin nga liderët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani, të sloganeve të cilat, sipas tij, nxisin ndasi dhe frikë tek qytetarët.
“Kur Ali Ahmeti thotë ‘do të ndodhë populli’, ai ringjall një frazë të rrezikshme, famëkeqe, të përdorur për herë të parë nga Sllobodan Millosheviç për të nxitur urrejtje dhe konflikt në ish-Jugosllavi. Kjo është një thirrje e rrezikshme që kërcënon paqen dhe unitetin”, deklaroi ai.
Fetai akuzoi BDI-në se ka dështuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe në ndërtimin e barazisë reale.
“Ata e kthyen Marrëveshjen e Ohrit nga një akt paqeje në një mjet për klientelizëm dhe vasalitet. Shqiptarët u lanë të anashkaluar, të varfër dhe pa shpresë”, theksoi ai.
Sipas tij, partia që sot flet për nënçmim të shqiptarëve, ka qenë vetë përgjegjëse për përjashtimin e tyre nga mundësitë dhe për forcimin e një sistemi klientelist. “Po këta që sot flasin për ‘vasalitet’, ishin skllevërit e Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit”, u shpreh Fetai.
Ai akuzoi BDI-në se po tenton të shndërrojë zgjedhjet lokale në një “referendum fiktiv kombëtar”, duke shmangur temat reale si infrastruktura, uji, rrugët dhe kanalizimi.
“BDI nuk ka moral të flasë për ‘popullin’. Ata e kthyen shqiptarët në pronë të partisë, ndërsa elita e tyre u pasurua përmes korrupsionit ndëretnik”, tha zv/kryeministri.
Fetai përmbylli duke u bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë retorikën populiste të BDI-së: “Ne duam një Maqedoni të Veriut evropiane, ku primare janë drejtësia, zhvillimi, qeverisja e mirë dhe dinjiteti për çdo qytetar. Le t’i themi mjaft populizmit të BDI-së dhe të ecim përpara, drejt një shteti të fortë, të bashkuar dhe të drejtë”.