Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së investimeve në këtë komunë nga ana e Qytetit të Shkupit. Përmes një statusi publik, ai ka shprehur pakënaqësinë e tij si qytetar i Çairit, duke theksuar se përderisa në komunën e Gjorçe Petrov janë realizuar 27 rrugë në 5 vendbanime gjatë tre viteve të fundit, në Çair nuk është realizuar asnjë projekt i tillë.
Nevzati thekson se Qyteti i Shkupit ka mbledhur rreth 18 milionë euro nga taksat dhe tatimet e banorëve të Çairit në pesë vitet e fundit, pa kthyer asnjë investim kapital në këtë periudhë. Ai ngre pyetjen legjitime:
“Pse duhet të paguajmë taksa kur nuk na kthehen në investime?”
Ky reagim i tij vjen si një apel për drejtësi fiskale dhe shpërndarje të barabartë të buxhetit mes komunave të Shkupit.