Evakuohen 150 pasagjerë nga Dubai, nga të cilët 125 shtetas të Maqedonisë së Veriut

2 Min. Leximi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se në fluturimin e sotëm nga Dubai u evakuuan gjithsej 150 pasagjerë, nga të cilët 125 shtetas të Maqedonisë së Veriut, 7 shtetas të Serbisë, 11 shtetas të Kosovës, 2 shtetas të Bosnjë e Hercegovinës, 2 shtetas të Shqipërisë, 1 shtetas i Gjermanisë, 1 shtetas i Armenisë dhe 1 shtetas i Malit të Zi, transmeton Anadolu.

Aktualisht, në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbetur rreth 200 shtetas të Maqedonisë së Veriut të cilët fillimisht kërkuan evakuim, por sipas deklaratave të tyre, ata aktualisht nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë.

Avioni nga Dubai pritet të ulet në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit rreth orës 20:00 sipas orës lokale.

Lidhur me evakuimin nga Riadi, i cili është planifikuar për nesër, deri më tani janë regjistruar gjithsej 153 pasagjerë për të fluturuar nga Riadi – Aeroporti Ndërkombëtar “King Khaled”. Nga këta, 9 janë nga Arabia Saudite, 15 nga Bahreini, 96 nga Katari dhe 33 nga Kuvajti.

“Duke pasur parasysh që Maqedonia e Veriut nuk ka lidhur marrëveshje për trafik ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite, avioni është planifikuar të ulet në aeroportin e Prishtinës, pas së cilës do të organizohet transporti i pasagjerëve për në Shkup”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Theksojmë se i gjithë organizimi i fluturimeve, përfshirë të gjitha kostot përkatëse, mbulohet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull