Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një telefonatë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të diskutuar armëpushimin e shpallur së fundmi me Iranin dhe zhvillimet më të gjera rajonale, transmeton Anadolu.
Drejtoria e Komunikimit e Turqisë në platformën turke të mediave sociale NSosyal njoftoi dy presidentët shqyrtuan situatën e fundit në rajon, me fokus në armëpushimin e shpallur mbrëmë.
Erdogan shprehu kënaqësi për armëpushimin, duke theksuar se periudha 2-javore pas një periudhe të vështirë 40-ditore ofroi një mundësi të rëndësishme për të avancuar drejt një marrëveshjeje të përhershme paqeje.
Ai theksoi nevojën për ta përdorur në mënyrë efektive këtë periudhë dhe paralajmëroi kundër çdo veprimi që mund të dëmtojë procesin.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se Turqia do të vazhdojë të rrisë mbështetjen e saj për përpjekjet diplomatike të kryera me vendet mike dhe vëllazërore, veçanërisht Pakistanin, që synojnë arritjen e një zgjidhjeje.
Dje, Trump njoftoi një armëpushim 2-javor me Iranin, duke theksuar se Teherani paraqiti një propozim “të realizueshëm” prej 10 pikash për negociata.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit tha se propozimi prej 10 pikash, i dorëzuar SHBA-së përmes ndërmjetësimit pakistanez, përfshin një angazhim kyç të SHBA-së për mos-agresion, vazhdimin e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, pranimin e pasurimit të uraniumit dhe heqjen e të gjitha sanksioneve parësore dhe dytësore.
Propozimi gjithashtu përfshin pagesën e kompensimit për Iranin, tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga rajoni dhe përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë kundër Hezbollahut në Liban.

